Disa prodhues të kremrave të diellit dhe produkteve të kujdesit personal janë vënë në qendër të vëmendjes pasi testime të pavarura zbuluan se dhjetëra produkte përmbanin nivele të larta të benzenit, një substancë kimike e njohur për efektet e saj kancerogjene. Megjithatë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ende nuk ka arritur të përcaktojë saktësisht burimin e këtij kontaminimi.
Sipas burimit Health News, në vitin 2021, kompania e sigurimit të cilësisë Valisure testoi 294 produkte të ndryshme mbrojtëse kundër diellit, përfshirë edhe produkte pas ekspozimit në diell.
Rezultatet treguan se 78 prej tyre përmbanin benzen. Kimikati u gjet kryesisht në produkte në formë spreji ose aerosoli, të cilat mund të jenë më të ndjeshme ndaj ndotjes gjatë procesit të prodhimit, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, ekspozimi ndaj niveleve të larta të benzenit lidhet me një rrezik të shtuar për zhvillimin e leukemisë dhe kancereve të tjera të gjakut, si mieloma multiple dhe limfoma jo-Hodgkin.
Kjo e bën veçanërisht shqetësuese praninë e kësaj substance në produkte që përdoren drejtpërdrejt mbi lëkurë dhe, në disa raste, thithen përmes frymëmarrjes.
Gjetjet e Valisure çuan në tërheqjen nga tregu të disa kremrave kundër diellit në formë aerosoli, pasi nivelet e benzenit në disa produkte ishin pesë deri në dymbëdhjetë herë më të larta se kufiri i lejuar nga FDA.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se përdorimi afatgjatë i produkteve të kontaminuara mund të përbëjë rrezik serioz për shëndetin publik.
Testime të tjera të kryera po në vitin 2021 zbuluan se benzeni ishte i pranishëm edhe në produkte të tjera të kujdesit personal, përfshirë dezinfektues duarsh, trajtime antifungale, shampo, kondicionerë, antidjersë dhe deodorantë.
Këto zbulime kanë nxitur thirrje për kontrolle më të rrepta dhe transparencë më të madhe në prodhimin e produkteve të përditshme. /Gazeta Shneta/


