Prindër nga Kosova, ka një lajm të mirë rreth lojës ‘Balena Blu’

2017-06-17 në ora 13:46

Agjencia Shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale, ka arritur që ta bllokoj çasjen e lojës “Balena Blue” në rrjetin e Kosovës.

“Me iniciativën e Agjencisë dhe bashkërendimin e veprimeve me ofruesit kryesorë të internetit në Kosovë, ka filluar bllokimi i qasjes në aplikacionin e quajtur ‘Balena e Kaltër’ (Blue Whale). Pas paraqitjes së rasteve të para të shkarkimit të lojës morbide ‘Balena e Kaltër’, e cila krijon varësi tek ata që e shkarkojnë dhe përmes shantazhit, administratorët e saj detyrojnë përdoruesit të kryejnë veprime të frikshme deri në vetëvrasje, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë ditëve të fundit ka ndërmarrë veprime koordinuese me institucionet përgjegjëse, e në veçanti me kompanitë private që ofrojnë internet brenda vendit, me qëllim të bllokimit të qasjes nga shfrytëzuesit e rrjetit që ofrohet nga katër operatorët kryesorë, si: Vala, Ipko, Kujtesa, Artmotion”, thuhet në komunikatën e agjencisë.

“Agjencia, me këtë rast, njofton publikun që nga dita e djeshme, operatorët që ofrojnë internet në tregun e Kosovës, sipas kërkesës së saj, kanë filluar bllokimin e të gjitha faqeve përmes së cilave ka pasur mundësi të shkarkohet kjo lojë morbide.Nga orët e para të ditës së shtunë kanë filluar të vijnë raportime nga këta operatorë lidhur me bllokimin e qasjes në këtë aplikacion. Presim që gjatë ditëve në vijim të pranojmë raportime të reja rreth bllokimit të plotë të çfarëdo qasjeje në këtë aplikacion”, bëhet e ditur në njoftim.
“Agjencia i ka dhënë përparësi urgjente kësaj çështjeje duke marrë shkas nga keqpërdorimi i të dhënave personale që bëhet me rastin e shkarkimit të këtij aplikacioni, ku parakusht i administratorëve është deponimi i të gjitha të dhënave që lidhen me përdoruesin, përmes të cilave, pastaj, administratorët e këtij aplikacioni shantazhojnë përdoruesin me 50 detyrat e dhëna, deri në detyrimin për të bërë vetëvrasje”, përfundon komunikata.