Një rrëfim i publikuar nga një nënë, e cila ka kaluar përvojën e lindjes së parakohshme në Klinikën e Neonatologjisë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka prekur shumë qytetarë në rrjetet sociale.
Në postimin e saj, ajo ka folur për sfidat emocionale dhe psikologjike me të cilat përballen prindërit e foshnjave premature, duke theksuar se kjo mbetet një temë për të cilën flitet pak në shoqërinë tonë, përcjell Gazeta Shneta.
Ajo ka falënderuar stafin e Neonatologjisë për kujdesin dhe mbështetjen ndaj foshnjave dhe nënave, duke veçuar përkushtimin e mjekëve dhe infermierëve në repartin e kujdesit intensiv.
Mirënjohje të veçantë ajo ka shprehur edhe për neonatologen Dr. Teuta Kamberi, për të cilën tha se bashkë me ekipin japin maksimumin jo vetëm për trajtimin e bebeve, por edhe për mbështetjen emocionale të prindërve.
“Ndjesinë e të qenurit prind i një fëmije prematur nuk e kupton askush përveç atyre që e kalojnë të njëjtën eksperiencë”, ka shkruar ajo, duke përshkruar ditët e vështira në njësinë intensive neonatale.
Në fund të mesazhit, ajo u ka dhënë kurajë të gjitha nënave që po kalojnë të njëjtën sfidë, duke i quajtur ato “heroina të vërteta”.
Po ashtu, edhe shumë prindër të tjerë kanë shprehur falënderime dhe vlerësime për përkujdesjen dhe mbështetjen që marrin në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK gjatë trajtimit të foshnjave premature. /Gazeta Shneta/







