Në Kongresin Ballkanik të Shoqatës Kosovare të Perinatologjisë, i cili është mbajtur dje me pjesëmarrjen e ekspertëve nga vendi dhe rajoni, Prof. Dr. Selami Sylejmani mbajti një ligjëratë shkencore të rëndësishme me temën: “Anomalitë e lindura uterine si shkak i lindjes para kohe”.
Gjatë prezantimit, Prof. Dr. Sylejmani theksoi rolin e diagnostikës së avancuar ultrasonografike 3D dhe 4D në identifikimin e anomalive të lindura të organeve gjenitale femërore, përcjell Gazeta Shneta.
Ai nënvizoi se këto anomali shpesh paraqiten si faktorë të rëndësishëm rreziku për lindjet e parakohshme, prandaj zbulimi i hershëm është thelbësor për menaxhim adekuat dhe parandalim.
Ligjërata u prit me interes të madh dhe u vlerësua lartë nga të pranishmit, duke reflektuar kontributin e çmuar të ekspertizës kosovare në skenën rajonale të perinatologjisë.
Prof. Dr. Sylejmani deklaroi se pjesëmarrja në forume të tilla profesionale përbën nder dhe mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e dijes dhe avancimin e praktikave që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e nënave dhe foshnjave.




