Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Prof. Naser Ramadani, ka folur për herë të parë për fotografitë ku ai shihej duke pirë kafe në një restorant derisa kjo gjë ishte e ndaluar me masat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në një konferencë për media e cila është mbajtur në Qeverinë e Kosovës nga kryeministri Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHPK-së Prof. Naser Ramadani, ky fundit ua hodhi fajin mediave se po e çorientojnë vëmendjen e qytetarëve duke bërë pyetje për numrin e testimeve.
Sipas tij numri i testimeve po bëhet sipas rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare të shëndetësisë publike.
Por një reagim ka ardhur nga gazetari i Gazetës Shneta Bujar Vitija, i cili ia ka kujtuar Ramadanit se rekomandimet e OBSH-së kanë qenë që të bëhen teste sa më shumë, gjë që në Kosovë aktualisht nuk është duke ndodhur pasi vetëm në dy ditët e fundit janë bërë nga 200 teste në ditë.
Vitija poashtu ka reaguar ndaj Ramadanit duke i thënë se nuk mund të akuzojë mediat për çorientim të vëmendjes së qytetarëve, duke ia kujtuar drejtorit të IKSHPK-së se kishte qenë ai vet i cili kishte shkelur masat e Ministrisë së Shëndetësisë duke pirë kafe në një restorant në Prishtinë në kohën kur kjo gjë ishte e ndaluar.
Ramadani e ka pranuar një gjë të tillë, por është arsyetuar se ka shkuar në restorant për t’u ushqyer. “Nëse e drejt elementare e njeriut është të jetojë dhe të ushqehet, kam shkuar të ushqehem pas 20 orë punë. S’kam tjetër koment”, ka deklaruar Ramadani.
Ramadani ishte fotografuar duke pirë kafe bashkë me një kolegë të tij nga IKSHPK, disa ditë para se Ministria e Shëndetësisë të anulonte vendimet për ndalimin e shërbimit të pijeve dhe ushqimeve brenda në restorante. /Gazeta Shneta/