Në programin e Lëvizjes Vetëvendosje parashihet ndarja e sektorit publik nga ai privat për profesionistët shëndetësorë, për të ulur mundësitë e keqpërdorimeve.
Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj për shëndetësi ka paraparë disa ndryshime në organizim, investime dhe legjislacion. LVV ka paraparë që gjatë qeverisjes të rris financimin e shëndetësisë nga 51,09 euro për kokë banori në 144 eventualisht 201 euro, shkruan Gazeta Shneta.
LVV planifikon funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore përmes modelit të “Bismarkut” ku i punësuari dhe punëdhënësi paguajnë nga 3 për qind të pagës bruto.
Në program parashihet një transformim institucional duke ngritur një Agjencion Shtetëror të Shëndetësisë në të cilin do të inkuadroheshin tre nivelet e shëndetësisë.
LVV theks të veçantë i ka kushtuar mjekësisë familjare dhe asaj preventive, ku parashikohet edhe themelimi i një Instituti.
Mbikëqyrja është një nga pikat kryesore të këtij programi për të luftuar fenomenet e këqija.
“Në mënyrë që të shmangen konfliktet aktuale të interesit do të punohet për një ndarje më të qartë të sektorit publik dhe atij privat. Ne jemi të bindur se me ngritjen e kapaciteteve dhe strukturave në sektorin publik ky konflikt interesi do të ulet ndjeshëm”, thuhet në program.
Vetëvendosje thotë se do të angazhohet që qytetarëve t’iu ofrohet qasje e lehtë me çmime të arsyshme të barnave duke krijuar një rregullator të tregut. Poashtu parashikohet themelimi i një Komiteti për Barna dhe Terapi.
Vetëvendosje në programin për shëndetësi ka paraparë poashtu kalimin e Ligjit për Sistemin Shëndetësor, Ligjin për Sigurime Shëndetësore, Ligjin për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Profesionistëve Shëndetësorë, etj. /Gazeta Shneta/