Prokuroria e Shtetit ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë raportin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” të institutit “Columbus”, i cili parashihte se barnat në Kosovë shiteshin nga 100 deri në 2 mijë për qind më shtrenjtë sesa që blihen në treg.
Iniciativa është ndërmarrë nga Prokurori i Zyrës së kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate instituti “Columbus”, transmeton Gazeta Shneta.
“Ju njoftoj se duke u bazuar ne raportin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike – Blerjet e barnave të listës esenciale shumëfish më shtrenjtë sesa çmimet në treg”, të cilin e keni publikuar dje, unë sot, me datë 30.05.2018, e kam dërguar të njëjtin raport në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kam kërkuar që të fillohet me grumbullimin e informatave për verifikimin e dyshimeve te ngritura”, thuhet në emailin e prokurorit Kelmendi, sipas komunikatës.
Ndërkohë, kjo organizatë kërkimore ka njoftuar se keqpërdorimi me çmime të barnave është duke u bërë që nga viti 2016, derisa ka potencuar se do vazhdojë hulumtimet mbi zbardhjen e dyshimeve të blerjeve të barnave, që bëhen nëpërmjet prokurimit publik.
“Instituti “Columbus” do të vazhdojë ta monitorojë blerjen e barnave përmes prokurimit publik, dhe veprimet që do të ndërmarrin institucionet e drejtësisë kur bëhet fjalë për dyshimet për keqpërdorime në këtë fushë”, deklaron më tutje ky institut./Gazeta Shneta/