Prokuroria Themelore në Gjilan i ka pushuar hetimet ndaj zyrtarit kryesor financiar të Spitalit të Gjilanit Bexhet Murtezit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, por të njëjtit i ka ngritur aktakuzë për konflikt interesi.
Gazeta Shneta ka siguruar një dokument të Prokurorisë Themelore në Gjilan ku bëhet e ditur se janë pushuar hetimet ndaj zyrtarit financiar të Spitalit të Gjilanit Bexhet Murtezi, për rastin e kontratës në mes të spitalit dhe kompanisë “Aroma Plus”.
“Njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti i Krimeve të Rënda duke u bazuar në nenin 240 paragrafi 2 lidhur me nenin 158 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 i Kodit të Procedurës Penale, me aktvendim PP.I.Nr.71/2021 të datës 21.02.2022, kundër të pandehurit Bexhet Murtezi, i ka Pushuar Hetimet në drejtim të veprës penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në këtë dokument.
Vendimi arsyetohet me faktin se Spitali i Gjilanit dhe kompania “Aroma Plus” kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit më datën 21.01.2020 me kohë të pa caktuar dhe se i pandehuri kishte vepruar sipas kësaj marrëveshje, andaj veprimet e tij nuk përmbushin elementet e veprës penale.
Megjithatë ndaj Murtezit është ngritur aktakuzë për konflikt interesi.
“Sa i përket veprës penale, konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 6 e 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, kundër të pandehurit Bexhet Murtezi, Prokuroria me datë 21.02.2022 ka ngritë aktakuzë”, thuhet në dokument.
Murtezi në një deklaratë për Gazetën Shneta ka thënë se kjo aktakuzë ndaj tij është e padrejtë dhe presion për qëndrimin e tij për ta mbrojtur buxhetin e spitalit. “Nuk është asgjë kjo aktakuzë. Është veç presion ndaj meje. Është shfrytëzuar një mesazh i djalit tim i cili i ka kërkuar punë kompanisë. Është e drejtë e secilit të kërkojë punë. Nuk ka asgjë të keqe këtu”, ka deklaruar Murtezi.
Në dhjetor të vitit 2019 Spitali i Gjilanit e kishte shpërblyer me kontratë për pastrim grupin e operatorëve “Aroma Plus SHPK”, “SHPK Krasniqi” dhe “Beni NTP” në vlerë rreth 780 mijë euro. Pronarë i kompanisë së parë është Dijar Krasniqi, ndërsa babai tij Skender Krasniqi është drejtor i kompanisë “Krasniqi SHPK”.
Këta operatorë në janar të vitit 2020 kishin nënshkruar një marrëveshje me zyrtarët e SP Gjilan, për të ulur çmimin mujor nga 21,634 euro në 19,628 euro. Marrëveshja ishte nënshkruar në mes të Dijar Krasniqit nga “Aroma” dhe nga zyrtari përgjegjës i Prokurimit Faredin Sylejmani.
Disa muaj më vonë, në korrik, operatori ekonomik kishte kërkuar shtim të hapësirave për pastrim e rrjedhimisht edhe rritje të pagesës. Bexhet Murtezi, Zyrtar Kryesor Financiar në SPGJ kishte thënë për Gazetën Shneta se kishin pranuar një pjesë të kërkesës së operatorit dhe çmimi ishte ngritur në 20,247 euro. Kështu kishin vazhduar deri në janar 2021.
Por operatori sërish kishte kërkuar ndryshime, kësaj radhe kërkesa e tij ishte të ktheheshin në kontratën e nënshkruar në dhjetor të vitit 2019, dhe kishte dorëzuar dy fatura për muajin janar me shuma të ndryshme. Por asnjërën prej tyre nuk ka pranuar ta paguaj ZKF Bexhet Murtezi, pasi sipas tij marrëveshja qëndron ende në fuqi.
Për shkak të këtij kontesti tani Spitali i Gjilanit është mbuluar nga bërlloku, dhe rasti ka përfunduar edhe në Policinë e Kosovës. /Gazeta Shneta/