Në kuadër të Muajit Rozë, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me organizatën Action for Mothers and Children (AMC) kanë prezantuar për herë të parë Informatorin për Ekzaminimin e Gjirit për Gratë e Kryeqytetit.
Ky material synon të rrisë ndërgjegjësimin e grave për kontrollet e rregullta të gjirit, vetëkontrollin dhe qasjen e hershme në shërbimet shëndetësore, shkruan Gazeta Shneta.
Informatori ofron udhëzime praktike se si të kryhet ekzaminimi i gjirit dhe për vendet ku gratë mund të marrin kujdes të mëtejshëm në rast të shqetësimeve ose simptomave të mundshme.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë e këtij projekti për shëndetin publik:
“Shëndeti i nënave, motrave dhe bijave tona është themeli i një shoqërie të shëndetshme. Gjatë dy viteve të fundit kemi rritur numrin e mamografive të kryera me mbi 250 për qind, duke ofruar shërbime falas dhe subvencione për gratë që përballen me sëmundjen.” theksoi Rama.
Ndërkaq, Ilir Kurtishi, Drejtor i Klinikës së Onkologjisë, vuri në pah se informatori është një hap konkret drejt zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e grave.
Rina Demiri Spahija, Drejtore Ekzekutive e AMC, shtoi se qëllimi i këtij udhëzuesi është të orientojë gratë drejt diagnostikimit të hershëm, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje që prek jo vetëm pacientet, por edhe familjet e tyre.
Ndërsa Nafije Latifi, Drejtoresha e organizatës “Jeta Vita”, bëri thirrje për vendosjen e pacientit në qendër të sistemit shëndetësor dhe për rritjen e kapaciteteve profesionale, aksesit në shërbime moderne dhe kushteve më të mira për trajtim në të gjitha komunat.
Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e fushatës së Muajit Rozë, që ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe të mbështesë gratë që përballen me këtë sëmundje.




