Gjatë ditës së sotme është mbajtur një tryezë me temën “Kriza e ekzistencës së klinikave të QKUK-së si pasojë e Profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë”, e cila është organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë.
Fisnik Kurshumliu, koordinator për Cilësi, ka deklaruar se Fakulteti i Mjekësisë dhe disa klinika në QKUK rrezikohen të mbyllen në vitin 2021 për shkak të mungesës së stafit akademik. Ai ka thënë se mungesa e stafit akademik në FM, ka implikime në ekzistencën e klinikave, dhe nëse klinikat nuk riakreditohen në 2021, nuk do të riakreditohet as fakulteti.
Kurshumliu ka propozuar që rrogat nga UP dhe SHSKUK për profesorët/mjekët të realizohen në një kontratë të vetme.
Njëjtë ka propozuar edhe këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Luan Jaha. Ai ka deklaruar se zgjidhja më e mirë është rikthimi i të gjithë profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë me pagë primare në shëndetësi, dhe pastaj të kompensohen për arsim sipas pozitës.
Ai ka rekomanduar po ashtu që të largohen edhe nenet 177 dhe 178 të Statutit të UP-së për kushtin e moshës.
Ndërkaq ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka propozuar formimin e një grupi punues për të zbuluar shkaqet dhe pastaj të dilet me një zgjidhje.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë është zotuar për përkrahje edhe në aspektin e buxhetit.
Rektori i UP-së, Marjan Demaj, ka kërkuar që të rritet buxheti në mënyrë që të ketë mundësi për të shtuar numrin e stafit akademik. /Gazeta Shneta/