Gjatë pushimit të drekës në punë, unë shtrydh gjirin tim me pompë, sepse ende ushqej tim bir me qumësht gjiri. Pavarësisht se sa nënë e mirë jam unë, pavarësisht se sa e dua tim bir e sa krenohem me të, kjo “punë ” e përditshme më është bërë e bezdisshme.
Nuk e di pse ndodh kjo. Kur e ushqej fëmijën tim me gji, e bëj me krenari. Fakti që kam ushqyer të dy fëmijët e mi me qumësht gjiri, më ka bërë specialiste në këtë fushë. Në garderobën time ka pafund veshje të përshtatshme për këtë proces, por ende kur shtrydh gjirin me pompë në punë nuk ndihem mirë.
Më duhet të shkoj fshehur në dhomën e katit të parë ku e bëj këtë proces dhe nuk dua kurrë të më shikojë njeri. Nuk më bën të ndihem mirë fakti që në një ambient me pajisje e mobilie zyre unë bëj këtë veprim.
Për mua është diçka shumë diskrete, nuk e di nëse ndodh kështu edhe me nënat e tjera.
Pavarësisht nga paraqitja krenare e fotografive në mediat sociale të nëntë litrave të qumështit të shtrydhur, unë ende nuk kam guxuar t’i tregoj asnjë prej punonjësve të kompanisë apo eprorëve për atë që bëj në këtë ambient në pushimin e drekës.
Të gjithë habiten që unë preferoj të veçohem, të mos rri me asnjë koleg, por në të vërtetë unë bëj pikërisht shtrydhjen e qumështit për vogëlushin tim.
Ndihem në një konflikt të brendshëm me veten. Unë nga njëra anë luftoj për normalizimin e gjidhënies, nga ana tjetër nuk i tregoj askujt që shtrydh gjirin me pompë.
Kohët e fundit jam përpjekur të ndërgjegjësoj veten lidhur me këtë çështje dhe ta trajtoj me gjithë normalitetin që meriton.