Një fëmijë 2-vjeç është paraqitur në Klinikën Infektive në QKUK me vështirësi në frymëmarrje dhe kollë të vazhdueshme, pas një jave trajtimi ambulator që nuk solli përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore.
Me përkeqësimin e situatës, ai është trajtuar me terapi antibiotike dhe oksigjenoterapi në Infektiv, por komplikacionet kanë bërë që të zbulohet shkaku real – një trup i huaj në rrugët e frymëmarrjes, konkretisht një kokërr kikiriku.
Për shkak të vonesës në diagnostikim, trupi i huaj ka shkaktuar ndërlikime serioze në mushkëri dhe përreth saj, duke përfshirë pneumotoraks, emfizemë subkutane, bronkopneumoni dhe efuzion pleural – gjendje këto që mund të rrezikojnë jetën e pacientit.
Fëmija është transferuar urgjentisht në Klinikën e ORL-së, ku është vendosur diagnoza “Corpus alieni tracti respiratorii” (Trup i huaj në rrugët e frymëmarrjes).
Ai i është nënshtruar procedurës kirurgjikale trakeo-bronkoskopia rigide, dhe falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të suksesshme me ndihmën e endoskopisë, trupi i huaj është hequr dhe jeta e fëmijës është shpëtuar.
Ndërhyrja është realizuar nga ekipi profesional i Klinikës së ORL-së, i udhëhequr nga Dr. Kujtim Kastrati, Dr. Besian Gashi, në koordinim me drejtorin e klinikës Dr. Arsim Behramaj, instrumentarja Mira dhe anesteziologia Dr. Shpresa Hasimja me ekipin e saj.
Për këtë rast të suksesshëm, u shprehën falënderime për të gjithë ekipin, përfshirë instrumentarët dhe teknikët e anestezionit, për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar.
Sot, më 30 maj, bota ndalet për një moment të reflektojë mbi një realitet që nuk shihet gjithmonë me sy, por që ndjehet çdo ditë nga miliona njerëz: Skleroza e Shumëfishtë (MS).
Kjo sëmundje autoimune prek sistemin nervor qendror, trurin dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar simptoma të ndryshme, nga lodhje e thellë, deri te mpirje, vështirësi në të folur, humbje të ekuilibrit dhe shikimit. E megjithatë, shumë herë, nuk ka asnjë shenjë të dukshme. Pikërisht për këtë arsye, MS quhet shpesh “sëmundja e padukshme”.
Të jetosh me MS do të thotë të përballesh me të panjohurën çdo ditë. Ka ditë të mira dhe ditë kur trupi nuk të bindet. Nuk ka kurë përfundimtare, por ka trajtime që ndihmojnë në ngadalësimin e progresit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Për shumë persona, MS fillon në moshë të re zakonisht mes 20 dhe 40 vjeç, në kulmin e energjisë dhe ëndrrave. Pavarësisht kësaj, shumë prej tyre zgjedhin të mos dorëzohen, duke jetuar me forcë dhe vendosmëri të admirueshme.
Pse duhet të flasim për MS?
Për të thyer stigmat dhe paragjykimet. MS nuk është as dobësi, as dënim, por një sfidë shëndetësore.
Për të nxitur diagnostikimin e hershëm, që është kyç për trajtim efektiv.
Për të mbështetur kërkimin shkencor, që çdo vit sjell shpresë të re për miliona pacientë.
Për t’iu dhënë një zë atyre që shpesh heshtin, sepse shoqëria nuk i kupton dhimbjet që nuk duken.


