Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bastisur dhe inspektuar tri klinika private brenda një muaji të cilat merren me frytnim të asistuar mjekësor. Në këto klinika u arrestuan disa persona nën akuzat për transplantim të paligjshëm të organeve dhe qelizave.
Ushtruesja e Detyrës së Kryeinspektores në Inspektoratin Shëndetësor, Dr. Nora Krasniqi, thotë se inspektimet e tyre janë bërë me qëllim të verifikimit për respektimin Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Udhëzimit Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor. Krasniqi deklaron se pas inspektimeve janë gjetur shumë shkelje, shkruan Gazeta Shneta.
Për shkak të procedurave hetimore nga Inspektorati dhe Prokuroria, kryeinspektorja nuk ka pranuar të flas në detaje për këto shkelje, por ka treguar disa raste ku ka dyshime.
“Ka dyshime se donacionet janë përdorur në më shumë se një paciente dhe nuk ka një regjistër zyrtar për donatorët. Pra këto institucione nuk e dinë nëse një donator ka dhuruar edhe në një institucion tjetër”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo thotë se në këto klinika është ndërprerë përkohësisht veprimtaria për frytnim të asistuar mjekësor, ndërsa materialet e ngrira janë dërguar për ruajtje në institucione tjera. Materialet e Klinikës Amerikane janë dërguar në Spitalin Lindja, pasi këto dy institucione kanë marrëveshje bashkëpunimi. Ndërsa Spitali “Bahceci” dhe Spitali “Sirona” nuk kanë pasur marrëveshje me ndonjë institucion tjetër dhe prandaj materialet e tyre janë dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
Zyrtarët e Spitalit “Bahceci” kanë reaguar ndaj këtij veprimi të Inspektoratit duke kërkuar kthimin e tyre si dhe duke paralajmëruar padi dhe dëmshpërblim nga shteti.
Krasniqi ka sqaruar se materialet e Spitalit “Bahceci” janë dërguar në Gjinekologji pasi në atë institucion nuk ka pasur kush të përkujdeset për to për shkak të arrestimit të embriologut.
“Për shkak të ndërprerjes së përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë së FAM në tre institucionet e lartpërmedura nga Inspektorati Shëndetësor dhe Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së tankeve me materiale të ngrira të pacientëve, të njëjta nën përcjelljen e Policisë dhe embriologëve janë transferuar për ruajtje në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka shtuar tutje se Inspektorati Shëndetësor dëshiron të sigurojë pacientët e spitaleve të cilave përkohësisht u është ndërprerë ushtrimi i veprimtarisë për shërbimin e FAM-it se tanket me materiale të ngrira janë nën përkujdesje të profesionistëve të spitaleve përkatëse ku janë transferuar dhe informatat e mëtejme për ecurinë rreth kësaj çështje, pacientët do t’i marrin prej spitaleve ku i kanë filluar procedurat për FAM.
Krasniqi në fund iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që për shkak të ndjeshmërisë së çështjes të vetpërmbahen nga deklarimet që shkaktojnë konfuzion te pacientët. Krejt në fund Krasniqi ka deklaruar se në bazë të Udhëzimit Administrativ, Inspektorati do të propozojë revokimin e licencave për FAM për këto institucioneve për shkak të konstatimit të shkeljeve, ndërsa do të mbetet nën autoritetin e Bordit nëse do t’ua revokojë licencat. /Gazeta Shneta/