Ushqyerja me gji i ndihmon gratë të heqin kilogramët e tepërt të “peshës së shtatzënisë”, zbulon një studim i ri, dhe efekti është edhe më i theksuar për nënat që ishin mbipeshë apo edhe obeze para shtatzënisë.
Në mesin e grave që ushqenin ekskluzivisht me gji fëmijën e tyre gjatë vitit të parë të tij, gratë që kishin peshë normale para shtatzënisë humbën peshë, por megjithatë ruajtën rreth tre kilogramë shtesë të peshës së tyre të shtatzënisë, raportoi një ekip studiuesish në Singapor.
Megjithatë, nënat e reja që ushqejnë me gji, të cilat tashmë ishin obeze ose mbipeshë përpara shtatzënisë, humbën të gjithë peshën e shtuar të shtatzënisë, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Në këtë studim njëvjeçar, ne bëmë një zbulim interesant – një përfitim shtesë (të ushqyerjes me gji) për gratë me indeks të masës trupore të BMI të lartë,” tha autorja kryesore e studimit, Dr. Loy See Ling, nga departamenti i mjekësisë riprodhuese në Singapor.
“Për shkak të faktorëve hormonal, ka një rishpërndarje dhe menaxhim të yndyrës së trupit të tyre deri në atë masë që ka një mundësi që ato të humbin më shumë sesa shtimi i peshës pas lindjes”, shpjegoi Ling.
Zbulimi se ushqyerja me gji i ndihmon gratë të heqin kilogramët e tepërt ishte i pritshëm, por ndryshimet në përfitimet e lidhura me peshën para shtatzënisë nuk ishin.
Fillimi i jetës me një nënë gjidhënëse e cila tashmë është në rrugën drejt shëndetit më të mirë mund të ketë përfitime afatgjata, tha Ling.
“Inkurajimi i ushqyerjes ekskluzive me gji së bashku me ndryshimet e synuara të stilit të jetesës mund të shërbejë si një ndërhyrje efektive për përmirësimin e shëndetit metabolik të nënave të reja dhe familjeve të tyre pas lindjes, veçanërisht nëse ato kanë BMI të lartë,” vuri në dukje ajo.
Ekipi i saj publikoi gjetjet e tij së fundmi në revistën “Nutrients”. /Gazeta Shneta/


