Psikologu Visar Sadiku tërheq vëmendjen për një fenomen shqetësues, fëmijët dhe adoleshentët po shikojnë programin televiziv “Big Brother” vonë në mbrëmje, shpesh bashkë me prindërit e tyre.
Ai nënvizon se kjo ekspozim ndaj gjuhës fyese, konflikteve, sjelljeve agresive dhe modeleve të gabuar të komunikimit mund të dëmtojë zhvillimin mendor, emocional dhe akademik të fëmijëve, përcjell Gazeta Shneta.
Gjumi i pakët, thotë Sadiku, nuk është thjesht lodhje, por një pengesë serioze për mësim dhe rritje të shëndetshme.
Ai u bën thirrje prindërve të kujdesen për shëndetin dhe edukimin e fëmijëve, duke mos lejuar që programet +18 të hyjnë në rutinën e fëmijëve.
Postimi i plotë i Visar Sadikut:
“Është totalisht e papranueshme kur dëgjon fëmijët dhe adoleshentët se mbrëm bashkë me prindërit kanë shikuar BIG BROTHER gjerë pas mesnate!
Është e dhimbshme dhe alarmante të shohësh se si fëmijët nën 16-18 vjeç janë kthyer në shikues aktiv të Big Brother, shpesh ulur përballë ekranit bashkë me prindërit e tyre, deri vonë pas mesnate.
Dhe natyrisht se të rriturit në emër të “argëtimit”, po pranojnë normalizimin e një realiteti që nuk është aspak i përshtatshëm për fëmijët.
Fëmijët që duhet të flenë, të rriten, të ëndërrojnë dhe të mësojnë, po ekspozohen ndaj gjuhës fyese dhe ofendimeve të rënda, konflikteve të vazhdueshme, sjelljeve agresive dhe skenave të pahijshme, modeleve të gabuara të komunikimit dhe respektit të cilëve po u servosen fëmijëve që në fëmijërinë e hershme.
Dhe natyrisht që gjumi i prishur nuk është thjesht lodhje. Është dëm për zhvillimin mendor, emocional dhe akademik! Ndaj pyetja që u bëjmë prindve sot është:
Si mund të performoj mirë në shkollë një fëmijë që fle gjumë nga ora 03:00 pas mesnate dhe zgjohet në 7:00 të mëngjesit për në shkollë, një fëmijë që duhet të fle minimalisht 8 orë po fle max. 4 orë?
Ajo që e bën këtë fenomen edhe më të dhimbshëm është fakti se prindërit janë prezent, por heshtin dhe mendojnë që po argëtohen ata dhe fëmijët pa menduar pasojat e mëvonshme.
Big Brother mund të jetë spektakël për të rritur, por nuk duhet të bëhet shkollë për fëmijët, fëmijët në ora 19:00-20:00 kanë kohën e gjumit dhe jo një cikël të çrregullt që sjell pasoja.
Të dashur prindër, fëmijët nuk dinë të dallojnë dramën televizive nga realiteti, ata kopjojnë, përvetësojnë dhe e marrin si model atë që shohin. Argëtimi për disa orë nuk vlen më shumë se shëndeti dhe edukimi i një fëmije. BIG BROTHER PROGRAM +18, jo 5+ vjeç.”




