Rreth 5% e të rriturve në mbarë botën vuajnë nga depresioni, një gjendje që ndikon rëndë në cilësinë e jetës dhe shëndetin mendor.
Një nga trajtimet më të përdorura janë frenuesit selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI), të cilët megjithatë mund të shkaktojnë efekte anësore si nervozizëm, ankth, dhimbje koke, nauze, gojë të thatë, shqetësime me gjumin dhe humbje të dëshirës seksuale.
Për më tepër, studimet tregojnë se rreth 30% e pacientëve nuk reagojnë ndaj SSRI-ve, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Hulumtuesit nga “Imperial College London”, kanë identifikuar psilocibinën – një përbërës aktiv në kërpudhat psikodelike – si një alternativë të mundshme.
Studimi i tyre zbuloi se psilocibina ofron përmirësime të ngjashme të simptomave të depresionit si SSRI-të, ndërkohë që pjesëmarrësit raportuan përfitime të mëdha edhe në funksionimin social dhe lidhjet psikologjike pas gjashtë muajsh trajtim.
Gjetjet e studimit sugjerojnë se psilocibina mund të sjellë përmirësime jo vetëm në simptomat klinike, por edhe në mirëqenien e përgjithshme të pacientëve.
Ky studim u publikua së fundmi në revistën “Lancet eClinical Medicine” dhe u prezantua në Kongresin e 37-të të Kolegjit Evropian të Neuropsikofarmakologjisë (ECNP), duke hapur mundësi për trajtime më të personalizuara dhe efektive për depresionin. /Gazeta Shneta/


