Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan sot rrezikon të mbetet pa barna kundër helmimit të qytetarëve të kësaj ane. Në anën tjetër në Spitalin e Pejës kanë kërkuar ndihmë 17 pacientë me simptoma të helmimit nga rajoni i Deçanit.
Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, ka deklaruar se gjendja në QKMF-të e kësaj komune është e keqe pasi ka mungesë të barnave për pacientët e helmuar.
Berisha ka thënë mbrëmë në Interaktiv të KTV-së se në dispozicion kanë barna deri të martën, dhe se sipas tij, nëse nuk reagon Ministria e Shëndetësisë, rrezikojnë të kenë mungesë masive.
Ai ka shtuar se vazhdojnë të punojnë me ekipe të shtuara nëpër QKMF.
“Nëse shtohet një fluks i tillë, i pacientëve që vijnë me helmime, lutemi që të mos ndodh një gjë e tillë. Si pikë referente e kemi Spitalin Rajonal të Pejës, deri më tani i kemi 2 pacientë në Pejë. Janë njoftuar të gjitha inspekcionet e Kosovës. Është njoftuar prokuroria e shtetit, stacioni i policisë. Është krijuar një task-forcë që të dalim nga kjo gjendje në këtë endemi nëse mund ta quaj ashtu. Kemi pasur përkrahje nga IKSHPK që janë përgjigjur menjëherë”, ka potencuar ai.
Berisha u ka bërë apel qytetarëve të Deçanit që të mos përdorin ujin e ujësjellësit dhe në rast se kanë ndonjë shenjë si helmim apo dhimbje stomaku, të lajmërohen në QKMF.
Në anën tjetër drejtori i Spitalit të Pejës Dr. Skender Dreshaj, ka deklaruar për Gazetën Shneta se deri mbrëmë në këtë institucion kanë kërkuar ndihmë 17 pacientë me simptoma të helmimit nga komuna e Deçanit.
“Kemi pas qytetarë që kanë kërkuar ndihmë. Janë 17 raste deri mbrëmë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Pejës, por deri më tani nuk është pranuar asnjë rast sepse natyra e sëmundjes mundëson që ata të trajtohen edhe në mjekësinë familjare”, ka deklaruar Dreshaj.
Gjithsesi ai ka njoftuar se spitali është vënë në gjendje gatishmërie në rast nevoje për këta qytetarë të helmuar. “Natyrisht do të duhej që këto raste të trajtohen në repartin e infektives, por meqë kemi ende një rast të hospitalizuar me Covid, aty nuk mund t’i bëjmë bashkë me pacientë të tjerë. Ne kemi njoftuar ekipet në repartet tjera, interno, neurologji, psikiatri, që të jenë të gatshëm nëse paraqitet nevoja për të pranuar pacientë nga Deçani”, ka deklaruar Dreshaj.
Mbi 800 qytetarë të komunës së Deçanit janë përballur deri më tani me simptoma të helmimit. Kjo gjendje dyshohet të jetë shkaktuar nga kontaminimi i ujit, ndonëse drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Naser Ramadani ka deklaruar se nuk kanë hasur në ndonjë kontaminim jashtë standardeve deri më tani në analizat e bëra nga IKSHPK.
Dy persona kanë ndërruar jetë në 24-orët e fundit në komunën e Deçanit dhe për shkak të situatës së krijuar, Prokuroria ka kërkuar obduksion në Mjekësinë Ligjore. /Gazeta Shneta/