QKSUK ka iniciuar një tender me vlerë mbi 1.8 milion Euro për Autokllav dhe pajisje tjera. Afati për dorëzimin e ofertave është ulur nga 45 në 15 ditë.
Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës ka iniciuar një tender me titull “Furnizim me Autokllav, Unitate Stomatologjike, Tavolina Laboratorike për Punime Dentare me Sistem të Aspirimit të Integruar dhe Sistem qendror I thithjes për njësite Dentare”, shkruan Gazeta Shneta.
Tenderi kap vlerën prej 1,889,000 Euro.
Koha e aplikimit për operatorët ekonomik është ulur nga 45 në vetëm 15 ditë. Kjo është bërë me arsyetimin se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar e ka vonuar konfirmimin për shpalljen e tenderit dhe si rezultat tashmë procedura duhet të kryhet shpejt.
“Pritja për mbështetje financiare ka shkaktuar vonesë. Deri më tani kemi qenë në pritje të mbështetjes financiare nga SHSKUK për realizimin e këtij projekti. Vetëm me datën 23.09.2025 kemi marrë konfirmimin për financim, që nënkupton se procesi i prokurimit nuk ka mundur të fillojë më herët”, thuhet në arsyetim në dosjen e tenderit.
Tutje procedura e përshpejtuar arsyetohet me nevojat imediate për këto pajisje.
“Pajisjet e përmendura në këtë tender – Autokllavat, Unitetet Stomatologjike dhe Tavolinat laboratorike – janë thelbësore për funksionimin e shërbimeve dentare në QKSUK. Aktualisht, mungesa e tyre ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe kapacitetin e ofrimit të shërbimeve ndaj pacientëve”, thuhet në dosjen e tenderit.
Krejt në fund thuhet se nëse procedura shkon me afat 45 ditësh, atëherë rrezikohet të mos realizohet brenda afatit të planifikuar dhe mjetet e buxhetit do të humbin. /Gazeta Shneta/




