Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka furnizuar klinikën e ORL-së me dy pajisje, një bronkoskop dhe një ezofagoskop.
“Aparatura e re krijon lehtësi dhe ofron më shumë siguri për mjekët gjatë intervenimit tek pacienti”, thuhet në njoftimin e QKUK-së, transmeton Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë:
Klinika e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare është pajisur me aparaturë moderne, të kohës së fundit, të cilat i posedojnë vetëm spitalet perëndimore. Në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të rritur kualitetin e shërbimeve, SHSKUK ka furnizuar Klinikën e ORL-së me një Bronkoskop dhe një Ezofagoskop.
Bronkoskopi është një pajisje, me të cilën mjekët largojnë trupa të huaj në rrugët frymëmarrjes. Me funksion të ngjashëm, Ezofagoskopi , ndërkaq, kryen ndërhyrje në pjesën fillestare të rrugëve të tretjes.
Aparatura e re krijon lehtësi dhe ofron më shumë siguri për mjekët gjatë intervenimit tek pacienti. Furnizimi i Qendrës Klinike Universitare dhe spitaleve të përgjithshme me aparaturë të re, është parë si nevojë e domosdoshme nga menaxhmenti i SHSKUK-së, për ta përmirësuar shërbimet për pacientët dhe kushtet për profesionistët shëndetësorë.