Në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, nuk ka bateri për zemër (pacemaker) dhe pacientët po detyrohen të shpenzojnë mijëra euro për të blerë një të tillë.
Mungesën e kësaj pajisje jetike për pacientët, e ka konfirmuar edhe Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, raporton Gazeta Shneta.
“Në Klinikën e Kardiologjisë aktualisht nuk ka pejsmejker dhe nga UD. Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë është bërë kërkesa për furnizim dhe do zhvillohen procedura ligjore per tender derisa buxheti për barna dhe material shpenzues nga lista jo esenciale është jashtëzakonisht i kufizuar”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.
Krejt kjo situatë ka ardhur si pasojë e skadimit të afatit të këtij materiali para pak kohësh, pasi ish-drejtori Gani Bajraktari kishte porositur më shumë sesa kishte nevojë.
Bajraktari tani po hetohet nga Prokuroria për dëmtim buxheti miliona euro, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjet nëse Kardiologjia do të furnizohet me këtë pajisje.
Një bateri për zemër në Kosovë kushton deri në 1250 euro. /Gazeta Shneta/