QKUK kërkon kualifikimin që universitetet publike nuk e ofrojnë

2017-03-26 në ora 10:54

Gëzim Jakupi ka përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë në vitin 2005. Ai e kishte bërë edhe punën praktike, si përvojë të nevojshme për t’u licencuar si teknik i radiologjisë. Ishte licencuar si teknik i radiologjisë më 11 dhjetor 2013.

Në dhjetor të vitit të kaluar Jakupi ia kishte mësyrë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të aplikuar në konkursin për teknik të radiologjisë, por atij nuk i ishte pranuar dokumentacioni me arsyetimin se nuk e ka të përfunduar edhe nivelin bachelor, shkruan Kallxo.com.

“Nuk kam mundur të aplikoj për shkak se është kërkuar të përfundohet bachelori të cilin nuk e ofron UP, po vetëm ‘Rezonanca’, fakultet i cili duhet të përfundohet për 3 vjet dhe në fund të merret një licencë të cilën unë e kam vetëm me shkollë të mesme”, thotë Jakupi.

Ai thotë se është i gatshëm për të studiuar nivelin bachelor, por në sektorin publik pasi që sipas tij shpenzimet për të përfunduar një drejtim të tillë në një kolegj privat janë të mëdha dhe ai nuk mundet t’i përballojë ato duke qenë se është i papunë.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, e ka konfirmuar për Gazetën JnK se ky profil i mjekësisë nuk është pjesë e programeve studimore në Universitetin e Prishtinës.

“Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk ka pasur program të tillë studimi, ky program nëse nuk gaboj mund të jetë në Kolegjin ‘Rezonanca’”, tha ai.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Serbeze Kabashi rreth kërkesave të vendosura në konkursin për teknik të radiologjisë. Ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës JnK.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, tha se në Fakultetin e Mjekësisë nuk ka Drejtim të Radiologjisë, mirëpo atje ekziston Katedra e Radiologjisë. Sipas saj në këtë  katedër punon vetëm një profesoreshë dhe një asistent.

“Pra, ka mungesë të stafit akademik, meqë janë pensionuar të tjerët. Sipas politikave akademike të UP-së stafi mund të shtohet vetëm në përputhje me orët e mësimit të parapara për lëndë, sipas planprogramit. Gjithsesi, është e nevojshme të përgatitet një program për Drejtimin e Radiologjisë, por për t’u akredituar programi nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, parakusht themelor është të jenë së paku tre profesorë të lëmit profesional përkatëse”, tha Manxhuka-Kërliu.

Sipas saj, radiologjia është duke u zhvilluar dhe transformuar si Klinikë e re në kuadër të QKUK, prandaj njëjtë duhet të jetë edhe në Fakultet të Mjekësisë.

“Duhet menduar strategji tjera akademike për Fakultetin e Mjekësisë, që mundësojnë shtimin e stafit akademik në përputhje me nevojat e zhvillimit të hovshëm si të radiologjisë, ashtu edhe të lëmive tjera si Mjekësi Interne dhe Kirurgji, duke mos kalkuluar vetëm orët e mësimit direkt me studentë, por edhe punën shëndetësore profesionale dhe edukimin specialistik/subspecialistik, të cilin e bart stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë”, tha ajo.

Nga ana tjetër në Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës thonë se e rëndësishme është diploma e bachelorit dhe institucioni që e lëshon.

“SHSKUK-së, në princip nuk i intereson se kandidati ku e ka kryer shkollimin përkatës për të gjitha lëmitë. Institucioni kërkon që kandidati të jetë i pajisur me licencë përkatës të punës  nga Ministria e Shëndetësisë, e cila sipas ligjeve në fuqi u ofron licencë profesionale përkatëse kuadrove mjekësore sipas shkollimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu, SHSKUK-ja thotë se kualifikimi bachelor kërkohet edhe për profile  të tjera.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se në të gjitha profilet mjekësore të kuadrit të mesëm, përjashtuar teknikët e farmacisë, pozitat  e lira shpallen me kualifikimin bachelor, meqë  tashmë  ka kuadro profesionale të gatshme në treg për lëmitë mjekësore si staf  i infermierisë”, thuhet në përgjigjet e SHSKUK-së.

Aktualisht, Klinika e Radiologjisë i ka gjithsej 54 teknikë të radiologjisë që punojnë në klinikë dhe tek shërbimet tjera radiologjike në klinika e që menaxhohen nga ana e Klinikës së Radiologjisë.

Nga 54 teknikë, vetëm 15 janë teknikë me kualifikim bachelor.

Gëzim Jakupi thotë se shumë teknikë të radilogjisë kanë të kryer vetëm shkollën e mesme të mjekësisë, njëjtë sikur që e ka edhe ai. Ndihet i diskriminuar, pasi atij nuk i lejohet të punësohet përkundër që është i licencuar si teknik i radiologjisë ndërkohë që kolegët e tij lejohen.

Jakupi i ka tre vjet përvojë pune, pasi kishte punuar në një qendër private diagnostike.

Pasi që puna e tij në këtë qendër kishte përfunduar ai thotë se po provon të gjejë punë me atë që di të bëjë dhe për të cilën fushë ka përgatitje dhe përvojë.

“Nuk kam ide se nga të filloj dhe ku të drejtohem”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë e cila bën licencimin e profesionistëve të mjekësisë nuk e ka komentuar kërkesën e SHSKUK-së.

“Ju lutemi që për këtë çështjen në fjalë t’i referoheni dhe të bisedoni me institucionin i cili ka shpallur konkursin”, thotë MSH.

Pasi që ky drejtim (Bachelor i Radiologjisë) nuk ka qenë asnjëherë pjesë e programeve të studimit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, deri më tani në punë janë pranuar teknikë që janë licencuar nga Ministria e Shëndetësisë pasi që kanë përfunduar shkollën e mesme.

Aktualisht, është Kolegji “Rezonanca” që ka një drejtim bachelor për radiologë. Të pyetur se çfarë titulli marrin studentët që përfundojnë studimet bachelor në Kolegjin “Rezonanca”, Ministria tha se ata njihen si bachelor të radiologjisë.

“Studentët e radiologjisë, në këtë rast të ‘Rezonancës’, pasi të përfundojnë studimet trevjeçare, janë të obliguar të bëjnë praktikën 6 mujore dhe më pastaj të aplikojnë në Ministrinë e Shëndetësisë për licencim. Të njëjtit licencohen nga MSH, pasi t’u nënshtrohen provimeve nga Bordi për Licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë, me emërtimin e njëjtë si në diplomën përkatëse, ‘Bachelor të Radiologjisë’”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gëzim Jakupi thotë se shkollimi në “Rezonancë” nuk e ngrit në nivel të asistentit të radiologut studentin që përfundon shkollimin atje, por sipas tij ai vazhdon të mbetet teknik i radiologjisë.

Por, për tërë këto vite, ai nuk kishte arritur të siguronte një vend pune. Së fundmi atij i është ofruar një mundësi kur Qendra Klinike Universitare e Prishtinës kishte hapur konkurs për punësimin të teknikëve të radiologjisë.