Përveç mushkërive, rrezet e rëntgenit kanë përfshirë edhe organet tjera të foshnjave të lindura para kohe. QKUK ishte vënë në dijeni për këtë problem në dhjetor të vitit 2018, por puna me rëntgen është ndërpre vetëm pas fillimit të hetimeve nga Policia këtë vit
Puna me një rëntgen mobil në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është ndërpre pasi është konstatuar se kjo pajisje është duke rrezatuar foshnjat më shumë se sa duhet. Foshnjave të lindura para kohe kur iu janë bërë incizime të mushkërive, rrezet e rëntgenit i kanë përfshirë edhe organet tjera të barkut. Ndërprerjen e punës me këtë pajisje e ka konfirmuar edhe drejtori i Klinikës Dr. Xhevdet Gojnovci, i cili ka thënë se kanë kërkuar nga Klinika e Radiologjisë që të sigurojnë një rëntgen tjetër, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë pasi kryetare e Komisionit pranues ka qenë zyrtarja Dr. Merita Vuthaj. Në përgjigjen e MSH-së theksohet se në bazë të dokumenteve kur pajisja është pranuar, është konstatuar nga anëtarët përfshirë edhe radiologun dhe bioinxhinierin se pajisja është me të gjitha specifikat.
“Rentgeni është pranuar nga Komisioni i caktuar nga MSh-ja dhe nga ky Komision janë dhënë edhe udhëzimet që gjatë përdorimit, aparatit t’i caktohen dozat përkatëse për peshën e foshnjave nga profesionistët përkatës të klinikave përkatëse, sepse profesionistët e përcaktojnë a ka nevojë foshnja për procedurë (radiologjike) apo jo”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
MSH e kishte blerë këtë pajisje në kuadër të programit për Shëndetësi i Kosovës përmes huamarrjes nga Banka Botërore, ndërsa kjo e fundit e kishte angazhuar një ekspert ndërkombëtar për specifika. BB poashtu kishte udhëhequr edhe procedurat e blerjes, ndërsa komisioni pranues ishte formuar nga MSH. Kompania që kishte fituar kontratën ka qenë “Medica”.
“Në Komision kanë qenë edhe profesionisti nga fusha e radiologjisë dhe profesionisti i biomjekësisë të QKUK-së. Komisioni e ka bërë pranim-dorëzimin e pajisjeve sipas specifikave të përcaktuara dhe, me rastin e pranimit të pajisjes, i ka dhënë operatorit ekonomik edhe udhëzimet për trajnimin e stafit për përdorim të pajisjes”.
“Komisioni ka bërë, gjithashtu, verifikimin e pajisjeve dhe gjatë këtij procesi si dhe i është dhënë rekomandimi Klinikës së Radiologjisë për trajnimin e stafit për përdorimin e kësaj pajisjeje dhe caktimin e dozave të rrezatimit nga profesionistët e kësaj lëmie. Lista e personelit që është trajnuar është pjesë e dosjes së procesit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Gazeta ka mësuar se për përdorimin e kësaj pajisje ishin trajnuar 8 teknikë të radiologjisë. Por ndërkohë pajisja ka dal nga sistemi dhe ka filluar të rrezatoj më shumë sesa duhej.
Disa muaj më vonë kur ishte bërë raporti i verifikimit, komisioni ishte vënë në dijeni për problemin e rrezatimit dhe kishte rekomanduar plan të veprimit për SHSKUK-në.
“Raporti i verifikimit dhe Plani i veprimit për përdorimin e pajisjes i është dërguar edhe drejtorit të SHSKUK-së, i cili e ka njoftuar MSh-në se ka ndërmarrë veprimet e rekomanduara. Në MSh, e përsërisim, nuk ka ardhur asnjë ankesë rreth zbatimit të procedurave për sigurimin e pajisjeve, e as rreth (mos) funksionimit të pajisjeve. Komisioni i pranimit posedon me komplet Raportin e pranim dorëzimit dhe Raportin e verifikimit të pajisjeve, në të cilin mund të ketë qasje çdo palë e interesuar”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Gazeta ka mësuar se menaxhmenti i SHSKUK-së përmes një emaili drejtuar MSH-së në dhjetor 2018 ishte zotuar se do ta rregullonte problemin dhe për këtë kishte formuar një komision me tre anëtar nga Biomjekësia, por rëntgeni kishte vazhduar të rrezatonte foshnjat.
SHSKUK nuk ka ofruar sqarime lidhur me këtë problem në pyetjet që Gazeta i ka adresuar para rreth një muaji, më saktë më datën 6 shkurt. Rastin është duke e hetuar edhe Policia e Kosovës. /Gazeta Shneta/