Në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë kryer me sukses dy operacione të rralla dhe të rëndësishme për pacientet.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), operacionet u realizuan tek dy paciente me anomali kongjenitale të organeve gjenitale, ku gjatë zhvillimit embrional disa pjesë të mitrës dhe vaginës nuk ishin formuar plotësisht, transmeton Gazeta Shneta.
Ky sukses i hap rrugë për përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre pacienteve dhe mundësinë e transplantimit të mitrës në të ardhmen në qendra të specializuara evropiane.
Suksesi është rezultat i bashkëpunimit të stafit të klinikës me Dr. Alban Nezirin, gjinekolog me eksperiencë nga Zvicra, si dhe kontributit të gjinekologëve, anesteziologëve dhe stafit mbështetës nga Klinika e Anesteziologjisë. /Gazeta Shneta/




