QKUK me kontratën e re për sigurimin fizik do të paguaj gati 70 mijë Euro në muaj më shtrenjtë, sesa kontrata paraprake të cilën e anuloi OSHP-ja.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës më datë 5 gusht e ka nënshkruar kontratën e re për sigurimin fizik të objekteve, shkruan Gazeta Shneta.
QKUK e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “S.I.G. SHPK” me vlerë 189 751 Euro në muaj apo në totalSkifterat 1 138 507 Euro për 6 muaj. Kjo kontratë e re QKUK-së do t’i kushtojë gati 70 mijë Euro më shtrenjtë, sesa ajo paraprake të cilën e kishte anuluar Organi i Shqyrtimit Publik.
Kontrata me kompaninë “Skyfterat – Live SHPK” kishte vlerë 123 841 Euro në muaj apo në total 743 mijë Euro për 6 muaj, afër 70 mijë më lirë sesa kontrata me “SIG”.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga QKUK dhe SHSKUK pse kjo kontratë është më e shtrenjtë, por të njëjtit nuk kanë dhënë shpjegime.
“Lidhur me pyetjet tuaja për procedurën e prokurimit të shërbimit të sigurimit fizik në QKUK, ju njoftojmë se procedura është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, duke përfshirë edhe procedurën e negociuar. Operatori ekonomik është përzgjedhur pas shqyrtimit të ofertave dhe negociatave, duke marrë parasysh kërkesat teknike dhe kushtet e kontratës. Çmimi i kontratës pasqyron ofertën e paraqitur nga operatori fitues dhe kushtet e përcaktuara në këtë proces. Gjithashtu, ju informojmë se përfaqësuesi i medias ka qenë i ftuar që nga fillimi për të ndjekur procedurën nga afër, por nuk ka marrë pjesë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Gazeta ditë më parë ka raportuar edhe për një tender i cili iu dha operatorit me ofertën më të shtrenjtë. Bëhet fjalë për tenderin e hemodializës për furnizim me shtretër dhe aparata të dializës, i cili kap vlerën prej 843,750 Euro. Kontrata i është dhënë kompanisë “Medi Health”.
Në këtë tender kanë ofertuar edhe operator me çmime qindra mijëra euro më lirë. Ofertën më të lirë e ka pasur kompania “Medicom” me 584,505 Euro, ndërsa “Argo Med” me 684,774 Euro.
Ky tender tanimë po hetohet edhe nga Policia e Kosovës. /Gazeta Shneta/




