Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka publikuar rezultatet e kandidatëve që iu nënshtruan testimit me shkrim më 15 maj 2026, në kuadër të konkursit për pozitat drejtuese në disa klinika të këtij institucioni shëndetësor.
Sipas rezultateve të publikuara, për pozitën e drejtorit të Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, Bajram Ademi ka marrë 54 pikë. Teksa, në Klinikën e Pulmologjisë, Shpëtim Thaçi është vlerësuar me 53 pikë, ndërsa Besim Morina me 36 pikë, shkruan Gazeta Shneta.
Në garën për drejtor të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Arsim Gashi ka marrë 59 pikë, Shpend Haxhibeqiri 38 pikë dhe Blerina Hoxha Gjuraj 32.5 pikë. Ndërkohë, për pozitën e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci ka marrë 61 pikë, ndërsa Agron Poniku 37.5 pikë.
Rezultatet tregojnë se Ismet Jusufi ka marrë 53 pikë për pozitën e drejtorit të Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, ndërsa Edmond Komoni është vlerësuar me 40 pikë për Klinikën e Neurologjisë.
Për pozitën e drejtorit të Shërbimit Klinik të Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu ka marrë 58 pikë. Teksa, në Klinikën e Endokrinologjisë, Merita Emini Sadiku ka arritur rezultatin më të lartë me 62 pikë, ndërsa Amir Rexhepi ka marrë 57 pikë.
Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, Afrim Tahiri ka marrë 58 pikë, Enver Fekaj 50.5 pikë, ndërsa Valon Zejnullahu ka munguar në testim. Ndërkaq, Avni Kryeziu është vlerësuar me 56 pikë për pozitën e drejtorit të Klinikës së Reumatologjisë.
Sipas njoftimit të QKUK-së, Fatlinda Sadiku ka marrë 55 pikë për pozitën e drejtoreshës së Instituteve para-klinike. Ndërkohë, kandidati për drejtor të Klinikës së Radiologjisë, Jeton Shatri, ka munguar në ditën e testimit.
Për pozitën e drejtorit të Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, kandidati i vetëm në garë, Zef Ndrejaj, ka marrë 56 pikë.
Ndërkaq, në garën për drejtor të Klinikës së Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike, rezultatet kanë qenë pothuajse të barabarta, ku Bardha Selmanaj Bislimi ka marrë 54 pikë, ndërsa Leonora Sfarca 53 pikë.
Procesi i rekrutimit po zhvillohet në bazë të Rregullores (QRK) nr. 30/2024 për procedurën e pranimit të nëpunësve të shërbimit publik në sektorin e shëndetësisë. /Gazeta Shneta/




