QKUK në periudhën e mandatit qeverisës të PDK-së me Ministrinë e Shëndetësisë në krye me Uran Ismailin, nga viti 2018 deri më sot ka pranuar dhjetëra punëtorë administrativ, prej të cilëve ka zyrtar për shtrim, zyrtar për hapjen-mbylljen e historive, zyrtar zotues, etj. QKUK është krahasuar edhe me Postën e Kosovës ku ka pasur punësime partiake e familjare
Zyrtar për recepsion, zyrtar për shtrim, zyrtar për hapjen dhe mbylljen e historive të sëmundjes, zyrtar zotues, etj, janë këto vetëm disa nga pozitat ku janë pranuar dhjetëra punëtorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga viti 2018 deri më sot.
Këto punësime, të cilat janë bërë brenda mandatit qeverisës nga Uran Ismaili i PDK-së, janë bërë në bazë të organogramit të ri të miratuar edhe nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së vitin e kaluar. Në këtë organogram QKUK është ndarë në dhjetëra sektorë duke krijuar kështu më lehtë pozita të reja pune. Organogrami ndër të tjera përbëhet edhe nga Sektori për recepsion dhe shtrim, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i SHSKUK-së për numrin e të punësuarve dhe për detyrat dhe përgjegjësit në këto dy pozita, veçanërisht në atë për shtrim. Por zyrtarët nuk e kanë dhënë numrin e saktë të të punësuarve dhe as përgjegjësitë dhe përshkrimin e detyrave për këto pozita.
“Organogrami aktual i SHSKUK dhe QKUK është aprovuar nga Bordi Drejtuesnë vitin 2018. Në kuadër të përgatitjeve për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, QKUK ka planifikuar të bëjë ndarjen e shërbimeve mjekësore nga shërbimet administrative dhe ka paraparë organizimin e shërbimeve të recepcionit për të gjitha ambulancat specialistike dhe të gjitha klinikat e QKUK. Kjo me qëllim të përcjelljes sa më adekuate të shërbimeve dhe shpenzimeve të kryera dhe mbajtjes së rendit për pacientë. Gjate vitit 2018, stafi i recepsioneve është kompletuar në objektin e ambulancave specialistike në QKUK”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Deri më tani në QKUK janë punësuar më shumë se 10 punëtorë recepsionist për ambulancat specialistike. Menaxhmenti ka paraparë që edhe këtë vit të punësoj recepsionistë për klinika dhe ambulancat tjera.
“Gjatë vitit 2018 janë angazhuar numër i mjaftueshëm i recepsionistëve për të mbuluar pozitat e nevojshme, kryesisht në objektin e ambulancave specialistike. Gjatë vititi 2019, krahas me krijimin e recepsioneve nëper klinikat dhe ambulancat e mbetura të QKUK, do bëhet edhe rekrutimi i personelit shtesë”, thuhet në përgjigje.
Ndonëse QKUK ka më shumë nevojë për staf mjekësor, sidomos për infermierë, menaxhmenti thotë se punësimi i stafit administrativ është pjesë e politikave zhvillimore. “Politikat zhvillimore dhe menaxheriale të SHSKUK, janë çështje e brendshme e menaxhmentit dhe bordit drejtues, secila pozitë nga struktura organizative ka arsyeshmerinë e vetë dhe është e bazuar në rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjet e SHSKUK-së.
Për punësimet brenda QKUK-së ka pasur edhe shumë pakënaqësi për shkak të nepotizmit dhe ndikimeve politike. Menaxhmenti i SHSKUK-së është akuzuar edhe për mbingarkesë të administratës me pozita të ndryshme. Poashtu QKUK është krahasuar edhe me punësimet në Postën dhe Telekomin e Kosovës. /Gazeta Shneta/