Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka sqaruar situatën lidhur me ndërprerjen e kontratave për punëtorët e sigurimit.
Sipas QKUK-së, më 22 maj 2025, institucioni ka pranuar një vendim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), përmes të cilit është obliguar ta shkëpusë kontratën e negociuar për sigurimin fizik, e lidhur më shumë se dy muaj më parë.
Në zbatim të këtij vendimi, QKUK ka ndërprerë zyrtarisht kontratën më 21 qershor 2025.
Në reagimin e saj, QKUK siguron se asnjë nga punëtorët aktual të sigurimit nuk do të mbetet pa punë, pasi çdo kompani që kontraktohet për sigurimin fizik të objekteve ka për obligim t’i marrë në punë punëtorët ekzistues, transmeton Gazeta Shneta.
Rasti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Komerciale, mirëpo deri më tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
Për të siguruar vijimësinë e shërbimeve, menaxhmenti i QKUK-së ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për lidhjen e një kontrate të re.
Në ndërkohë, janë zhvilluar takime me Policinë e Kosovës që, përmes angazhimit në kuadër të kontratës për punë dytësore, të ofrojë mbështetje për sigurimin fizik në 10 deri në 12 pikat më kritike brenda QKUK-së, derisa të finalizohet kontrata e re. /Gazeta Shneta/




