Menaxherja e kontratës për “Furnizim me material ortoprotetik” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Lirije Makolli dhe menaxheri në kompaninë “Solution- D”, Erblin Polloshka, e kanë pranuar fajësinë për akuzat për keqpërdorim detyre dhe mashtrim, gjatë realizimit të kësaj kontrate.
Sipas aktakuzës, më 3 shtator 2018, Polloshka, duke fshehur faktet kishte mashtruar Shërbimin Klinik Ortoprotetik të QKUK-së, si autoritet kontraktues duke dorëzuar 17 produktet nga Turqia, edhe pse këto produkte sipas kontratës për furnizim duhet të ishin me origjinë nga Franca.Ndërsa, Makolli akuzohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare, kishte pranuar 15 produkte me specifikacion dhe me origjinë turke, edhe pse këto materiale duhet të ishin me origjinë nga Franca.Ata akuzohen se me këto veprime i kishin shkaktuar dëm QKUK-së në shumë prej 11,696,21 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës, prokurori Kujtim Munishi, ka paraqitur dy marrëveshje me të cilat të akuzuarit kanë pranuar fajësinë për veprat për të cilat ata ngarkohen.Me marrëveshjet e prezantuara, prokurori Munishi, i rekomandoi gjykatës që ndaj të akuzuarës Lirije Makolli të shqiptohet një dënim me burgim me kohëzgjatje prej 180 ditësh, i cili nuk do të ekzekutohet, me kusht që e pandehura brenda një viti nuk do të kryej vepër tjetër penale.Ndërsa, për të akuzuarin Erblin Polloshka, me këtë marrëveshje u rekomandua që ndaj tij të shqiptohet dënim me gjobë prej 1000 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditësh, me mundësi të zëvendësimit në dënim me gjobë.
Pas kësaj, dy të akuzuarit kanë deklaruar se këtë marrëveshje e kanë bërë me vullnet të plotë dhe në bashkëpunim me mbrojtësit e tyre.Gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, ka thënë se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 8 maj 2019, në ora 9:00.Ndryshe, prokurori Munishi, tha se në fazën hetimore në këtë rast si të dyshuar ishin të përfshirë edhe Berat Binaku, Esat Maloku, Naim Sylejmani dhe Lulzim Peci, por më pas ndaj tyre kishin pushuar hetimet, për shkak se nuk ishte krijuar dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit ishin kryerës të veprave penale.
Sipas aktakuzës së ngritur 5 mars 2019, Lirije Makolli akuzohet se më 3 shtator 2018 në cilësinë e menaxheres së kontratës për “Furnizim me material ortoprotetik”, për Shërbimin Klinik Ortoprotetik në QKUK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, nuk kishte kryer detyrën zyrtare të përcaktuar me ligj.
Në aktakuzë thuhet se me rastin e pranimit të materialit të porositur nga operatori ekonomik “Solution-D’, nga gjithsej 75 produkte, e akuzuara Makolli kishte pranuar 15 produkte me specifikacion dhe me origjinë turke, edhe pse këto materiale siç ishte e paraparë me anë të kontratës për furnizim, duhet të ishin me origjinë nga Franca.Ndërsa, i akuzuari Erblin Polloshka, po dyshohet se më 3 shtator 2018, ka kryer veprën penale të mashtrimit, pasi që si person përgjegjës – menaxher në kompaninë “Solution- D”, sipas aktakuzës, duke fshehur faktet kishte mashtruar QKUK-në, Shërbimin Klinik Ortprotetik, si autoritet kontraktues, duke dorëzuar 17 produktet nga Turqia, edhe pse këto produkte sipas kontratës për furnizim, duhet të ishin me origjinë nga Franca. /Betimipërdrejtësi