Një qytetare me inicialet B.B ka shprehur mirënjohjeje për stafin mjekësor të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, duke vlerësuar përkushtimin dhe humanizmin e treguar në trajtimin e nënës së saj, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në mesazhin e saj, ajo përshkruan momentet e vështira që familja po kalon, duke theksuar se reagimi i shpejtë dhe profesionalizmi i stafit të Emergjencës kanë qenë vendimtarë në një situatë ku çdo sekondë kishte peshë jetike. Sipas saj, përkushtimi dhe kujdesi i menjëhershëm i mjekëve dhe infermierëve kanë dhënë shpresë në një kohë të mbushur me pasiguri, përcjell Gazeta Shneta.
Ajo ka shprehur falënderime të veçanta edhe për repartin e Hematologjisë, duke vlerësuar kujdesin e vazhdueshëm, durimin dhe qasjen njerëzore ndaj pacientëve, që sipas saj reflekton një profesionalizëm të lartë të shoqëruar me ndjeshmëri të rrallë.
Mirënjohja më e madhe i është drejtuar stafit të Intensives Qendrore, ku nëna e saj po trajtohet në gjendje kome. Ajo thekson se përkushtimi i pandërprerë, përpjekjet maksimale dhe lufta për çdo shenjë përmirësimi janë bërë burim i vetëm shprese për familjen.
Në mesazhin e saj, ajo shprehet se stafi mjekësor nuk po kujdeset vetëm për një paciente, por po mban gjallë shpresën e një familjeje të tërë, duke e cilësuar këtë përkushtim si një akt humanizmi që nuk do të harrohet kurrë.
Postimi i plotë:
Të nderuar mjekë dhe staf i QKUK-së,
Me gjithë dhimbjen që po përjetojmë si familje, ndjejmë një nevojë të thellë dhe të sinqertë për të shprehur mirënjohjen tonë më të madhe ndaj stafit të Emergjencës në QKUK. Në momentet më të vështira, kur çdo sekondë ka peshë të jashtëzakonshme, ju ishit aty me profesionalizëm, përkushtim dhe një humanizëm që nuk përshkruhet lehtë me fjalë. Veprimet tuaja të shpejta dhe kujdesi i menjëhershëm na dhanë shpresë dhe forcë në një kohë kur ndiheshim të pafuqishëm.
Një falënderim i veçantë shkon për repartin e Hematologjisë në QKUK, për kujdesin e vazhdueshëm, për durimin dhe për mënyrën se si i qaseni pacientëve jo vetëm si profesionistë, por edhe si njerëz me zemër të madhe. Përkushtimi juaj është dritë në një rrugë të vështirë dhe ne e ndjejmë çdo ditë mbështetjen tuaj.
Por mbi të gjitha, mirënjohja jonë më e thellë dhe më e ndjerë është për stafin e Intensives Qendrore. Për mamin tim, e cila ndodhet ende në gjendje kome, ju jeni bërë shpresa jonë e përditshme. Edhe pse gjendja e saj është e rëndë, fakti që ju nuk ndaleni asnjëherë, që luftoni për çdo frymëmarrje të saj dhe që bëni të pamundurën për ta mbajtur dhe për ta përmirësuar gjendjen e saj, është diçka që ne nuk do ta harrojmë kurrë.
Ju nuk po kujdeseni vetëm për një paciente – ju po mbani gjallë shpresën e një familjeje të tërë. Në çdo veprim tuajin ne shohim përkushtim, sakrificë dhe një humanizëm të rrallë.
Faleminderit nga zemra për gjithçka që po bëni për mamin tim.
Edhe në këtë kohë të vështirë, ju jeni drita jonë 🙏




