Një analizë e madhe paraklinike nga Universiteti i East Anglia dhe Universiteti i Glasgow zbulon se rapamicina – një ilaç i njohur për efektet anti-plakje – mund të zgjatë jetën po aq sa kufizimi ushqimor, si agjërimi apo reduktimi i kalorive.
Studiuesit shqyrtuan të dhëna nga 167 studime mbi jetëgjatësinë te tetë specie të vertebrorëve (përfshirë minj, peshq dhe primatë), për të krahasuar efektet e kufizimit ushqimor, rapamicinës dhe metforminës – një ilaç i përdorur për diabetin e tipit 2 dhe shpesh i përmendur për përfitimet ndaj plakjes, shkruan burimi Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se:
– Kufizimi ushqimor zgjati jetën në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha speciet e studiuara.
– Rapamicina kishte efekt pothuajse të njëjtë në zgjatjen e jetës.
– Metformina nuk tregoi përfitime të qarta për jetëgjatësinë.
– Përfitimet u vunë re në të dy gjinitë dhe nuk vareshin nga mënyra specifike e kufizimit ushqimor.
Sipas Dr. Zahida Sultanova, bashkautore e studimit, rapamicina mund të përfaqësojë një alternativë premtuese për ata që nuk arrijnë të ndjekin dieta të rrepta për një kohë të gjatë.
Megjithatë, ajo thekson se ende nuk rekomandohet përdorimi i saj pa udhëzime mjekësore, pasi efektet anësore, veçanërisht në sistemin imunitar, duhet të studiohen më tej te njerëzit.
Këto gjetje forcojnë rëndësinë e kërkimeve për ilaçe që mund të zgjatin jetën dhe përmirësojnë cilësinë e saj, pa nevojën për kufizime të ashpra dietale. /Gazeta Shneta/


