Gripi i shpendëve nuk është më vetëm një çështje e shëndetit të kafshëve, pasi rastet e shtuara te gjitarët dhe ndikimet e forta në ekosisteme, tregti dhe siguri ushqimore po e shndërrojnë këtë sëmundje në një emergjencë globale, zbulon një raport i ri.
Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) mbi gjendjen e shëndetit të kafshëve në botë, rastet e gripit të shpendëve te gjitarët u dyfishuan në vitin 2024 krahasuar me vitin e kaluar – nga 459 në 1,022 shpërthime – duke sjellë pasoja më të mëdha, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në të njëjtën periudhë, janë raportuar 943 shpërthime te shpendët shtëpiakë dhe 2,570 shpërthime te speciet e tjera, përfshirë 1,548 mes shpendëve të egër. Këto episode çuan në humbjen e mbi 82.1 milionë shpendëve.
“Një zhvillim i dukshëm në vitin 2024 ishte rritja e shpërthimeve të gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë (HPAI) te gjitarët,” thuhet në raport.
Po ashtu, theksohet se gripi i shpendëve nuk është më një çështje sezonale apo rajonale, pasi që nga viti 2022 janë raportuar raste në të gjithë botën. Virusi ka prekur specie të reja të shpendëve të egër, shpendë shtëpiakë, dhe gjithnjë e më shumë specie gjitarësh, përfshirë kafshë blegtorale dhe kafshë shtëpiake.
WOAH paralajmëron se gripi i shpendëve ka kaluar nga një krizë e shëndetit të kafshëve në një emergjencë globale, që kërcënon bujqësinë, sigurinë ushqimore, tregtinë dhe ekosistemet.
Rreziku për shëndetin e njeriut
Në disa raste, virusi është përhapur edhe te njerëzit, duke shkaktuar shqetësime për potencialin e tij për t’u kthyer në një krizë më të gjerë të shëndetit publik.
Situata është veçanërisht alarmante në Shtetet e Bashkuara, ku një shpërthim i gripit të shpendëve mes shpendëve dhe bagëtive ka çuar në 67 raste të konfirmuara te njerëzit dhe një vdekje.
Në Evropë, nuk ka pasur infeksione njerëzore dhe nuk janë raportuar raste të virusit te bagëtitë. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), gjeniotipi që qarkullon aktualisht në SHBA nuk është identifikuar në Evropë.
Megjithëse rreziku i infektimit te njerëzit mbetet i ulët, WOAH paralajmëron se me shtimin e rasteve të infektimit të gjitarëve, mundësia që virusi të përshtatet për të mundësuar përhapjen nga gjitari në gjitar dhe potencialisht te njerëzit po rritet.
Pasojat e gjera, jo vetëm për shpendët
Përveç ndikimit shkatërrues në shpendët shtëpiakë, gripi i shpendëve po shkakton zhdukje masive të shpendëve të egër, duke prishur ekosistemet dhe duke kërcënuar biodiversitetin, zbulon raporti.
Sipas organizatës, zogjtë detarë, grabitqarët dhe shpendët e ujit kanë pësuar humbje katastrofike, duke u zhdukur koloni të tëra të shumimit.
Përhapja globale e gripit të shpendëve ka sjellë gjithashtu pasoja për tregtinë ndërkombëtare, pasi shpërthimet shpesh nxisin kufizime të rrepta tregtare.
Një shembull është pezullimi aktual i eksporteve të pulave nga Brazili drejt Bashkimit Evropian, pasi vendi njoftoi WOAH për një shpërthim të gripit të shpendëve. /Gazeta Shneta/




