Rreth 840 mijë njerëz në mbarë botën humbin jetën çdo vit si pasojë e problemeve shëndetësore të lidhura me stresin dhe kushtet e punës, sipas një raporti të ri nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, agjenci e Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Raporti thekson se faktorët psikosocialë në vendin e punës – si orët e gjata të punës, pasiguria në punë, ngacmimi dhe dhuna – po krijojnë mjedise të dëmshme që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin fizik dhe mendor të punëtorëve.
Sipas të dhënave, këto rreziqe lidhen kryesisht me sëmundje kardiovaskulare dhe çrregullime të shëndetit mendor, përfshirë edhe vetëvrasjen. Ekspertët paralajmërojnë se këto probleme po bëhen një ndër sfidat më të mëdha për sigurinë dhe shëndetin në punë në botën moderne.
Raporti evidenton se çdo vit humben rreth 45 milionë vite jetë të shëndetshme (DALYs) për shkak të këtyre faktorëve, ndërsa ndikimi ekonomik global arrin në rreth 1.37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Në Evropë, situata mbetet shqetësuese, me mbi 112 mijë vdekje të lidhura me rreziqet psikosociale në vendin e punës dhe rreth 6 milionë vite jetë të humbura në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, depresioni dhe ankthi shkaktojnë rreth 12 miliardë ditë pune të humbura çdo vit. Ndër problemet më të zakonshme përmenden lodhja kronike, pagjumësia, ankthi dhe “burnout”.
Raporti thekson gjithashtu se stresi në punë shpesh çon në sjellje të dëmshme si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, ushqyerja e pashëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik, duke rritur rrezikun për sëmundje kronike si obeziteti dhe hipertensioni.
Ndër faktorët kryesorë që dëmtojnë shëndetin e punëtorëve renditen orët e gjata të punës, ngarkesa e lartë, mungesa e balancës mes përpjekjes dhe shpërblimit, si dhe dhuna dhe ngacmimi në vendin e punës. Sipas raportit, rreth 35% e punëtorëve në botë punojnë më shumë se 48 orë në javë.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se puna mbi 55 orë në javë rrit me 35% rrezikun për goditje në tru dhe me 17% rrezikun për vdekje nga sëmundjet e zemrës.
Ekspertët bëjnë thirrje për masa urgjente për përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë menaxhimin e ngarkesës, qartësinë e roleve, kufizimin e orarit të punës dhe ofrimin e mbështetjes për shëndetin mendor.
Në një kohë kur digjitalizimi dhe format e reja të punës po ndryshojnë tregun global, raporti nënvizon se parandalimi dhe ndërhyrjet e hershme janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.




