Prokurorët e shtetit të Bosnjës thonë se rreth njëqind ventilatorë të importuar nga Kina nga një kompani private dhe të paguara nga qeveria e vendit kanë rezultuar të padobishëm për pacientët me koronavirus.
Firma e vogël pa licencë e cila importoi pajisjet mjekësore u pagua rreth 5 milion euro, për të marrë pajisjet në vendin e vogël të Ballkanit, në mes të pandemisë.
Por pas një proteste publike se përse kompania, e quajtur Silver Raspberry dhe me lidhje me institucionin politik të Bosnjës, mori marrëveshjen fitimprurëse, zyra e prokurorit të shtetit hapi një hetim mbi korrupsionin dhe mashtrimet e mundshme, shkruan NY Times, transmeton Periskopi.
Në raportin e tyre fillestar, prokurorët thanë në një deklaratë të hënën se ventilatorët e importuar “nuk plotësojnë as një minimum të karakteristikave të nevojshme për trajtim adekuat” të pacientëve me koronavirus.
“Prandaj, nuk këshillohet përdorimi i atyre ventilatorëve në njësitë e kujdesit intensiv,” thuhet në deklaratë.
Pronari i kompanisë ka hedhur poshtë akuzat se ka importuar makinat e frymëmarrjes me çmime të larta. Ai tha se përdori lidhjet e tij të biznesit në Kinë për të realizuar atë që ai e quajti një “mision humanitar”.
Ekspertët kanë paralajmëruar se pandemia COVID-19, e cila kapi zyrtarët në shumë vende të papërgatitur dhe të pa pajisur për të përmbushur nevojën për mbrojtje dhe ventilator, ka krijuar mundësi të reja për manipulime të tilla pasi qeveritë tani po tentojnë të marrin furnizimet në çdo formë të mundshme.
Kujtojmë që edhe Kosova ka porositur ventilatorë nga Kina në vlerë afr 750 mijë euro.