Ministria e Shëndetësisë në Spanjë ka konfirmuar një rast të dytë pozitiv me hantavirus tek qytetarët spanjollë që ndodhen në karantinë në Madrid, pas shpërthimit të virusit të regjistruar në anijen turistike “MV Hondius”. Me këtë rast të ri, numri i të infektuarve mes pasagjerëve spanjollë të evakuuar nga anija ka arritur në dy.
Sipas autoriteteve shëndetësore, personi i fundit i diagnostikuar ishte identifikuar më herët si kontakt i afërt i rastit të parë dhe ndodhej tashmë në izolim nën mbikëqyrje mjekësore, në përputhje me protokollet e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm dhe Reagimit të Shpejtë.
Rasti u zbulua gjatë testimeve rutinë me PCR dhe, sipas ministrisë, nuk paraqet rrezik shtesë për popullatën, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Aktualisht, 12 shtetas spanjollë vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm mjekësor në Spitalin Qendror të Mbrojtjes “Gómez Ulla” në Madrid.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se masat e izolimit do të mbeten në fuqi deri në përfundimin e periudhës 42-ditore të përcaktuar nga protokollet ndërkombëtare për raste të tilla.
Autoritetet po monitorojnë situatën nga afër, ndërsa theksojnë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. /Gazeta Shneta/




