Pacientët që deri dje paguanin 1000-4500 euro për ndërhyrjet në gjymtyrë, sot mund t’i trajtojnë ato në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë falas.
Përmes investimeve të kryera nga qeveria e Shqipërisë, në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë u realizua për herë të parë operacioni i artroskopisë, shkruan Gazeta Shneta.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Orgesta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Investimet në spitalin Universitar të Traumës??Realizohet operacioni i parë me artroskopi në spitalet publike.
Deri dje pacientet paguanin 1000-4500 euro ne klinikat private ose jashtë vendit për ndërhyrjet në gjymtyrë me metoda të avancuara.
Sot këto ndërhyrje kryhen falas për pacientet, falë investimeve në #SUT #PërmirësojmëShërbimet #MShMS” thuhet në postimin e të parës së Shëndetësisë në Shqipëri.
Artroskopia është një procedurë kirurgjike për kirurgët ortopedikë për të vizualizuar, diagnostikuar dhe trajtuar problemet brenda gjurit.
Në një ekzaminim artroskopik, një kirurg ortopedik kryen një prerje të vogël në lëkurën e pacientit dhe pastaj fut instrumente me madhësi lapsash, që përmbajnë lente të vogla dhe sisteme ndriçimi për zmadhim dhe ndriçim në strukturat brenda gjurit.
Më tutje, në postimin e saj, Manastirliu i bashkangjiti edhe fotografi të realizuara gjatë operacionit të artroskopisë nga stafi mjekësor i QSUT-së./Gazeta Shneta/