Një studim afatgjatë me mbi 2,500 persona të moshës 50 vjeç e sipër ka zbuluar se rënia e kujtesës lidhet me uljen graduale të aktivitetit fizik dhe rritjen e kohës së qëndrimit ulur.
Gjetjet sugjerojnë se lidhja midis shëndetit të trurit dhe lëvizjes është e dyanshme: jo vetëm që aktiviteti fizik ndihmon trurin, por edhe përkeqësimi i funksioneve njohëse mund të ndikojë në nivelin e aktivitetit fizik, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit ndoqën pjesëmarrësit për 17 vjet, duke vlerësuar periodikisht kujtesën dhe aftësitë e tyre njohëse.
Aktiviteti fizik u mat objektivisht përmes pajisjeve të vendosura në kyçin e dorës.
Rezultatet treguan se personat me ruajtje më të mirë të kujtesës kryenin mesatarisht 14 minuta më shumë aktivitet fizik të lehtë çdo ditë dhe kalonin rreth 12 minuta më pak në sjellje sedentare krahasuar me ata që kishin rënie më të shpejtë të kujtesës.
Megjithëse këto dallime mund të duken të vogla, ato përkthehen në rreth 1.6 orë më shumë aktivitet fizik në javë. Tek personat mbi 70 vjeç, diferenca ishte edhe më e madhe, duke arritur deri në 2.3 orë shtesë aktiviteti të lehtë në javë.
Sipas studiuesve, problemet e hershme të kujtesës mund ta bëjnë më të vështirë planifikimin, nisjen ose vazhdimin e aktiviteteve të përditshme. Kjo mund të shoqërohet edhe me izolim social, ulje të pavarësisë dhe dobësi fizike.
Ekspertët theksojnë se çdo formë aktiviteti është e vlefshme për të moshuarit. Ecja, kopshtaria, punët e shtëpisë apo thjesht kalimi më pak i kohës vetëm ulur duke ndenjur mund të kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit fizik dhe mendor gjatë plakjes. /Gazeta Shneta/


