Fëmijët në Evropë po vaksinohen më pak krahasuar me pesë vjet më parë, duke u ekspozuar më shumë ndaj shpërthimeve të sëmundjeve si fruthi, kolli i mirë dhe poliomieliti, thuhet në një raport të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në vitin 2024, shkalla e imunizimit kundër fruthit, hepatitit B, kollës së mirë dhe poliomielitit mbeti nën nivelin e para pandemisë në Evropë dhe Azinë Qendrore. Rënia kryesisht i atribuohet “neglizhencës ndaj vaksinave”, që po çon në rikthimin e sëmundjeve të shmangshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Vetëm vitin e kaluar, mbi 125,000 persona u prekën nga fruthi – numri më i lartë në më shumë se 25 vjet – dhe afro 300,000 raste të kollës së mirë u raportuan, vlerë trefishe krahasuar me vitin 2023.
Më shumë se gjysma e 53 vendeve të rajonit kishin norma vaksinimi nën nivelin e nevojshëm për të parandaluar shpërthime të fruthit, shytave, rubeolës, difterisë, tetanozit dhe kollës së mirë.
Sipas ekspertëve, hezitimi ndaj vaksinimit nuk është më i vetmi problem.
Regina De Dominicis nga UNICEF thekson se shumë prindër mendojnë se sëmundjet e parandalueshme nuk paraqesin më rrezik dhe për pasojë nuk ndiejnë nevojën për të vaksinuar fëmijët.
“Kjo gjeneratë nuk i ka përjetuar pasojat shkatërruese të këtyre sëmundjeve, çka ka sjellë vetëkënaqësi dhe e ka bërë më të lehtë përhapjen e dezinformimit,” tha ajo.
Megjithatë, ka përparime në disa vaksina më të reja, si ato kundër HPV-së, rotavirusit, meningjitit dhe pneumonisë, falë përfshirjes së tyre në kalendarët kombëtarë të vaksinimit.
OBSH bën thirrje për forcimin e sistemeve shëndetësore, luftimin e dezinformimit dhe sigurimin e qasjes së gjerë në vaksina për të përmirësuar mbulimin rutinë të imunizimit. /Gazeta Shneta/




