Pronari i poliklinikës ‘Avicena’, Driton Shuki është arrestuar dje, e pas intervistimit është liruar nga Policia e Kosovës, në një rast që po ndjeket nga Interpol’i, pasi dyshohet se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Në rastin e iniciuar ndaj biznesmenit Shuki del të jetë i implikuar në hetim edhe Interpol’i, raporton gazeta online Reporteri.net. Kështu ka bërë të ditur Policia në raportin 24 orësh.
“Prishtinë 10.10.2022-12:00. Referuar rastit të lartcekur, Interpoll – Maqedonia e Veriut, në bashkëpunim me zyrtarët policorë të PK-së dhe zyrën për bashkëpunim ndërkombëtar të Policisë së Kosovës ILECU, pas një pune operative kanë arritur të zbulojnë se persona të panjohur dyshohet se kanë kryer shit- blerjen e një pajisje shëndetësore e cila shërbente për qëllime të klinikave shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, kundrejt të dyshuarit mashkull kosovar”, thuhet në raport.
Policia sot ka dalë edhe me një tjetër njoftim të veçantë për rastin e arrestimit të pronarit të “Avicena”. Aty tregohet se Driton Shukit i është sekuestruar edhe pajisja shëndetësore që dyshohet se është e vjedhur.
“Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, dje hetuesit e stacionit policor Qendra, kanë arrestuar një person, i cili dyshohet se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur, në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pas sekuestrimit të pajisjes dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, është inicuar rast ndaj personit të dyshuar: – D. Sh, mashkull 47 vjeç, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale”, ka njoftuar PK’ja, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Shuki është arrestuar për dyshimet se ka bërë blerje/pranim të disa pajisjeve të vjedhura nga persona që po dyshohen se kanë marrë tinëzisht pajisje mjekësore në vlerë 45 mijë euro nga spitalet e Maqedonisë së Veriut.
Shuki dyshohet se pajisjen mjekësore e cila u përfitua në mënyrë të kundërligjshme, e ka blerë për rreth 10 mijë euro nga personat të cilët ende nuk janë identifikuar nga organet e hetuesisë. Ndaj pronarit të “Avicena” kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Kjo është hera e dytë që arrestohet biznesmeni Driton Shuki për dyshime se kryen vepra penale që përfshijnë të dy shtetet: Kosovën e Maqedoninë e Veriut.
Herën e parë ishte arrestuar në vitin 2022 për testet Covid 19. Shuki ishte kapur nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Han të Elezit nën dyshimin se ka bartur mostra dhe rezultate të testeve. /Reporteri.net/