Rifillojnë shërbimet ambulantore në SHSKUK pas pezullimit më 15 mars për shkak të pandemisë

2020-09-28 në ora 10:56

Puna në ambulancat specialistike të QKUK-së ka rifilluar pas pezullimit që ishte bërë më 15 mars për shkak të pandemisë.

Ministri i shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes që të ruajnë këtë situatë sepse vetëm kështu do të mund të mbrohen punëtorët shëndetësorë që të kryejnë punën e tyre.

“Duhet të vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm gjatë menaxhimit të pandemisë. Disa vende evropiane janë duke iu ekspozuar rikthimit të madh të virusit, andaj edhe ne duhet të kemi më shumë kujdes dhe të jemi më të përkushtuar”, ka deklaruar Zemaj.

Në anën tjetër drejtori i SHSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi e ka quajtur lajm të mirë rikthimin e shërbimeve shëndetësore. Ai ka bërë të ditur se së shpejti do të nisin edhe operacionet elektive.

“Nga sot kanë filluar shëbrimet në ambulancat specialistike të QKUK-së dhe drejtorët e klinikave dhe spitaleve i kemi udhëzuar që konform situatës epidemiologjike dhe pacientëve që të rikthejnë gradualisht shërbimet e tyre”.

“Po ashtu i kemi udhëzuar që të bëjnë planin detal për rikthimin e programit elektiv për intervenimet kirurgjike”, ka deklaruar Krasniqi. /Gazeta Shneta/