Teknologjia moderne ka mundësuar që kirurgjia të kryhet pa pasur fare nevojë për hapje të trupit. Laparaskopia, ndonëse jo shumë e përdorur nga kirurgët kosovarë, tani mundësohet në spitalin “Euromed” nga kirurgu i mirënjohur në Zvicër, Ymer Durmishi.
Kirurgu Ymer Durmishi ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa ka specializuar në Kirurgjinë Viserale (Kirurgji e Përgjithshme) në Spitalin Universitar Gjenevë të Zvicrës. Poashtu, në të njëjtin spital ka kryer edhe Kirurgjinë Torakale, Kirurgjinë Vaskulare, Kirurgjinë Pediatrike dhe Kirurgji e Kockave. Dy vite ka punuar si Shef i Klinikës Urgjente në Gjenevë, një vit Shef i Klinikës Torakale poashtu në Gjenevë, dhe pas pesë viteve punë në Tiranë, është rikthyer në Prishtinë në Spitalin Euromed. Durmishi është anëtar i Akademisë Zvicerane dhe Franceze të Kirurgjisë dhe mban Postin e mjekut konsultues në Spitalin Universitar të Gjenevës.
Dallimet ndërmjet sistemit shëndetësor në Kosovë dhe atij në Zvicër, janë shumë të mëdha, duke nisur nga organizimi, trajtimi i pacientëve e deri te përgatitja e kuadrove të reja. Kështu konsideron kirurgu i mirënjohur Ymer Durmishi, i cili ka rrëfyer përvojat e tij në një intervistë për Gazeta Shneta.
Kur ka ardhur në Kosovë, Durmishi thotë se është përpjekur që të mbaj të njëjtin sistem pune nga përvoja në Gjenevë.
“Duhet me qenë korrekt me pacientin, me mbajt vazhdimësinë në raport me të dhënat aktuale botërore që jepen për secilën sëmundje. Nuk është në pyetje vetëm operacioni, por më pastaj kujdesi është i vështirë sepse janë komplikimet”, shprehet Durmishi.
Kirurgu Durmishi thotë se ndihet krenar që ka qenë i pari që ka sjellë teknologjinë moderne laparaskopike në Kosovë. Për fat të keq, pohon ai, në Kosovë ende konsiderohet kirurgji laparaskopike vetëm heqja e idhzës, ndërsa në “Euromed”, mbi 70 për qind e operacioneve kryhen me këtë teknologji.
“Është një metodë e standardizuar dhe dihet saktësisht që rezultatet janë shumë më të larta sesa me kirurgji të hapur. Një apendicit i hequr me kirurgji të hapur edhe pas 20 viteve mund të shkaktojë ngjitje të zorrëve dhe kjo rrezikon më pas gangrenën apo edhe vdekjen”, ka deklaruar Durmishi.
“Fatkeqësisht pacientët nuk e kuptojnë sepse ka shumë pak mjekë që e bëjnë këtë dhe vet mjekët janë kundër dhe preferojnë të hapur. Por rekomandimet aktuale janë për këtë teknologji. Për 20 minuta punë, pacienti mund të kthehet në shtëpi pa ndonjë problem”, ka shtuar ai.
Durmishi është kritik i ashpër i mjekësisë në Kosovë. Ai thotë se këtu po trajtohen pacientët shkel e shko.
“Ka sëmundje që duhet të jenë prezent onkologu, patologu, radiologu, radioterapeuti, mjeku, asistenti social, të merret vendim dhe pastaj të shkohet më tutje. Ka pak spitale që i kanë ekipet mjekësore multidisiplinare. Një prej arsyeve që kam ardh në ‘Euromed’ është pikërisht kjo sepse këtu është gjithë radiologjia komplete, laboratori, reanimacion, e cila është pikë shumë delikate për një spital”.
“Unë bëjë kirurgji onkologjike dhe kam shumë raste që zgjasin deri në 7 orë dhe është e ndaluar që pacienti të shkojë në dhomë sepse mund të ndodhin të gjitha çrregullimet biokimike dhe prandaj duhet të përcillet në reanimacion me anestezist 24 orë te koka”, ka thënë mjeku kosovar.
Nuk mund të quhet klinikë, shton ai, një institucion i cili nuk ka laborator, nuk ka radiografi të mushkërive. Një spital duhet t’i ketë minimumin e gjërave për pacientin. Të bësh operacione pa pasur kardiolog, më duket paradoksale, pa bërë radiografi të mushkërive…
Në “Euromed” mbulohet në tërësi Kirurgjia Abdominale
Durmishi ka treguar për trajtimet që bëhen në institucionin ku është angazhuar. Në “Euromed” tani mbulohet në tërësi Kirurgjia Abdominale përveç transplantit i cili është i ndaluar me ligj në spitalet private. Bëhet në tërësi kirurgjia e krahërorit dhe gjirit. Tani pas hapjes së koronarografit, është filluar edhe me Kardiokirurgjinë.
Poashtu bëhet kirurgjia ortopedike dhe neurokirurgjia dhe së shpejti pritet të vijnë nga Gjermania edhe një urolog dhe gjinekolog për t’u kompletuar një ekip i mirëfilltë.
“Sa i përket radiologëve jemi të kompletuar si asnjë tjetër me të gjitha pajisjet e nevojshme, rezonancë magnetike, skander 64 spiral, mamografi, elastografi, koronarografi, endoskopi, radiografi. Të gjitha janë në ‘Euromed’”, është shprehur Durmishi.
Ai tregon tutje se ka shumë raste që vijnë nga Shqipëria e Maqedonia, për shkak të imazhin që “Euromed” ka krijuar ndër vite.
Së fundmi ai risjellë rastin e një 90-vjeari të ardhur nga Korça, i cili kishte kryer tri operacione në “Euromed” dhe tani është në gjendje shumë të mirë shëndetësorë.
“Në Zvicër është shumë më lehtë me qenë mjek sesa në Kosovë”
Kirurgu Ymer Durmishi konsideron se në Zvicër është shumë më lehtë me qenë mjek sesa në Kosovë.
“Në Zvicër dihet se ku troket pacienti dhe dera e parë është ajo e mjekut familjar. Për fat të keq mjeku familjar në Kosovë ka tjetër kuptim dhe më së paku merret me problemet e familjes. Më shumë është sistem organizativ mjekësor, sesa mjek i familjes i cili do të ishte lehtësim shumë i madh qoftë për shtetin, qoftë për pacientin”, thekson mjeku.
Ai ka kritikuar institucionet publike dhe ato private pasi shumë pacientë po ikin nga Kosova për shkak të niveli të ulët të mjekësisë.
“Është krijuar vakum i kuadrave 10 vjet para luftës dhe pas luftës janë krijuar kuadra shkel e shko sepse s’ka pas kush me i formu dhe sot po i paguajmë. Një pjesë e madhe e pacientëve ikin nga Kosova sepse niveli është shumë i ulët. Këtu në sistemet private bëhet gjithçka sepse askush nuk i kontrollon. Por në mjekësi duhet konkurrencë e bashkëpunim”, ka thënë Durmishi.
Mjeku thotë se dërgimi i pacientëve jashtë vendit është barrë e rëndë për qeverinë.
“Nëse vazhdohet që rastet e rënda t’i dërgojmë jashtë shtetit, pikësëpari kemi bërë gabim etik, kemi bërë gabim patriotik sepse nuk po përkushtohemi për këtë mjekësi dhe ata pacientë nuk i ndjek institucioni që i ka operuar, ata përsëri kthehen tek ne”, ka deklaruar ai.
“Më e rënda është se ne nuk po krijojmë kuadro që merren me këto raste të rënda. Më me dëshirë po i trajtojmë rastet me hemorroide ku i marrim ca lekë, por nuk po formojmë kuadro për rastet e rënda”, ka shtuar Durmishi.
Ai ka folur edhe për ikjen e mjekëve nga Kosova, për të cilët thotë se nuk kanë konsideratën e mjaftueshme nga shteti dhe përballen me shumë vështirësi.
“Pjesa me e madhe janë zënë me familjar e nepotizëm, ndërsa shkencëtarët kanë mbetur jashtë. Është normale që është kjo tendencë sepse nuk ka siguri në vendin e punës, sa herë i kanë rrah mjekët, sa herë janë përballur me gjykatat”, përfundoi Durmishi. /Gazeta Shneta/