Ekspertët e kirurgjisë dhe teknologjisë nga Kolegji Mbretëror i Londrës kanë vlerësuar se robotët kirurgjikë të pajisur me inteligjencë artificiale mund të ndryshojnë mënyrën se si kryhen operacionet, duke mundësuar trajtime më të personalizuara dhe më të sakta për pacientët.
Në një analizë të publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Science”, studiuesit theksojnë se inteligjenca artificiale e integruar në robotët kirurgjikë mund të përmirësojë vendimmarrjen, reagimin gjatë emergjencave, koordinimin e ekipeve mjekësore dhe efikasitetin e ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Kirurgu robotik urologjik, profesori Prokar Dasgupta, i cili së fundmi realizoi operacionin e parë robotik në distancë në Mbretërinë e Bashkuar, tha se vitet e ardhshme do të sjellin ndryshime të mëdha në sallat operative.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe robotikës në sallën operative është shumë emocionues. Vitet e ardhshme do të shohin robotë inteligjentë që do të ndikojnë në të gjitha fazat e kirurgjisë”, është shprehur ai.
Sipas studiuesve, sistemet e reja do të mund të analizojnë të dhëna në kohë reale nga pacientët, pajisjet dhe ekipet kirurgjikale, duke ndihmuar mjekët të marrin vendime më të shpejta dhe më të sakta gjatë operacioneve.
Inteligjenca artificiale pritet gjithashtu të ndihmojë kirurgët të parashikojnë rezultatet e mundshme të veprimeve të ndryshme para ndërhyrjes, gjë që mund të ndikojë në përmirësimin e rezultateve për pacientët.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se robotët me inteligjencë artificiale duhet të mbeten nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të njerëzve dhe institucioneve rregullatore.
Sipas tyre, kirurgët duhet të mbeten vendimmarrësit kryesorë në sallën operative, ndërsa teknologjia duhet të përdoret si mbështetje dhe jo si zëvendësim i plotë i rolit të mjekut.


