Marrja e vitaminës D për të shmangur ftohjen e zakonshme mund të mos jetë aq efektive sa mendohej.
Një analizë e re e publikuar në revistën “The Lancet”, tregon se suplementet me vitaminë D nuk ofrojnë mbrojtje statistikisht të rëndësishme kundër infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes – si kollë, teshtima apo hundë të bllokuara, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Vitamina D është suplementi i dytë më i përdorur në SHBA, pas multivitaminave, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Shumë njerëz besojnë se kjo vitaminë ndihmon në forcimin e imunitetit, veçanërisht pasi gjendet në pak ushqime dhe përthithet kryesisht nga rrezet e diellit.
Në të kaluarën, disa studime e kanë mbështetur këtë ide. Një meta-analizë e vitit 2021 gjeti një “efekt modest mbrojtës” të suplementimit me vitaminë D kundër infeksioneve të frymëmarrjes.
Por kërkuesit, të udhëhequr nga profesori i Harvardit, Carlos A. Carmago Jr., vendosën të rishikojnë provat duke përfshirë gjashtë studime të reja. Analiza e tyre përfundimtare përfshiu 46 studime me mbi 64,000 pjesëmarrës.
Përmes një modeli të avancuar statistikor, ata shqyrtuan nëse suplementimi me vitaminë D ulte gjasat e infeksioneve, duke marrë parasysh faktorë si mosha, doza dhe nivelet ekzistuese të vitaminës në gjak.
Rezultatet treguan se vitamina D nuk pati një ndikim domethënës në uljen e ftohjes apo infeksioneve të ngjashme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë një lajm pozitiv: vitamina D nuk shkaktoi efekte anësore më të shumta sesa placebo. Kjo nënkupton se, edhe pse nuk është “ilaç mrekullie” kundër ftohjes, mbetet një suplement i sigurt, veçanërisht për ata që kanë mungesë të saj. /Gazeta Shneta/


