Shëndetësia në Kosovë në shumë dimensione është treguar e brishtë karshi sëmundjeve e pacientëve të cilët kanë nevojë për trajtim shëndetësorë.
Në një situatë më të ndërlikuar janë pacientët e diagnostifikuar me kancer të cilët përveç sëmundjes së rëndë përballen edhe me sfida për trajtimin e saj.
Klinika e Onkologjisë është i vetmi institucion në të cilin ofrohen shërbimet shëndetësore për pacientët e prekur nga kanceri. Ndonëse kushtet në këtë klinik lënë shumë për të dëshiruar prap se prap adresa e vetme e mjekimit për këtë kategori mbetet pikërisht kjo klinik.
Në vitin 2020 Selime Rexha Shkreta iu hapë një kapitull i ri e i vështirë në jetën e saj në po këtë vit ajo u diagnostifikua me kancer në gji.
Pikërisht në kohën ku fluksi me rastet e të infektuarve me coronavirus ishte i lartë Rexha – Shkreta, kishte më së shumti nevojë të kërkonte kurë për sëmundjen që tashmë kishte hyrë në trupin e saj.
Pas vizitave dhe konsultave me mjekët, atë e orientuan që të operohet sa më shpejtë që mundet, e në anën tjetër Onkologjia në asnjë mënyrë nuk mund të pranonte të intervenonte pasi që, ishin arsyetuar, se për shkak të pandemisë intervenimi kirurgjik ishte i pamundur.
Në mes të traumës nga lajmi se në gjirin e saj ka kancer dhe hallit se intervenimi nuk mund të bëhej në klinikën e shtetit ajo ia mësyn njërit nga spitaleve private. Për këtë intervenim ajo thotë se ka paguar 1 mijë e 500 euro e që pikërisht në atë kohë filloi të përballej edhe me sfidat tjera.
Pasi që situata me pandemin kishte filluar të qetësohet dhe duhej t’i nënshtrohej radioterapisë e kimioterapisë ajo thotë se është ballafaquar me situata jo të mira në Klinikën e Onkologjisë.
Asnjë pacient me kancer nuk duhet të ndërpresë radioterapinë që nga dita kur e fillon atë për shkak se i rrezikohet shëndeti. 36 vjeçarja thotë se për të marrë këtë shërbim ka udhëtuar çdo ditë nga Komuna e Hanit të Elezit për në kryeqytet por pavarësisht kësaj ajo sqaron se ka pas raste kur është kthyer në shtëpi pa e marrë këtë shërbim për shkak të defekteve të aparaturës së radioterapisë.
“Ka ndodh që kam shku dy tri herë për radioterapi edhe kam kthy mbrapa, vitin e kalun ka ndodh kjo. Ka qenë në funksion vetëm një aparatë i radioterapisë. Kemi prit deri në tri apo katër orë dhe ka dal motra na ka thënë më vjen keq por mundeni me shku në shtëpi, mos hajdi më ne ju lajmërojmë kur me ardh. Masnej i kemi thirrë ne, i kam pyet për çdo ditë nëse është rregullu aparatura se e kam ditë se sa është rrezik mos me bo radioterapinë me kohë por me shku me bo privat është shumë shtrejtë”, rrëfen 36 vjeçarja për Gazetën Shneta.
Ajo sqaron se për 26 ditë me radhë është dashtë të marrë shërbimin e radioterapisë mirëpo për shkak të këtyre defekteve radioterapia ka zgjatur deri në dy muaj, kështu duke u rrezikuar shëndeti i saj.
Sfida pothuasje të ngjashme ajo ka pasur edhe gjatë kohës sa ka marrë shërbimin e kimioterapisë. Ajo rrëfen se “cili ka shku i pari ia ka nis kimioterapisë” ndërsa nuk ka pasur termine apo radhë se kush duhet të hy në dy sallat kimioterapisë në këtë klinikë.
Si pasojë e kësaj, ajo thotë se është detyruar të kthehet mbrapa pasi që pritjet e gjata kanë rezultuar pa efekt për shkak të numrit të lartë të pacientëve për të marrë këtë shërbim e mundësia për të siguruar një vend ka qenë shumë më e ulët pasi që kimioterapia zgjatë katër deri në pesë orë.
“Ka ndodh që kam shku me marrë kimioterapi në ora 7:30 dhe kam fillu me marrë në ora 11:00, se edhe në kimioterapi ka pas defekte”, sqaron ajo “ose kur kam hy në sallë kam prit 20 deri në 30 minuta dhe më kanë thënë me shku në shtëpi se nuk po bën” vazhdon rrëfimin Rexha.
Sfiduese për të ka qenë edhe sigurimi i barnave dhe vitaminave.
“Kur e kam marrë kimioterapinë për çdo tri javë kemi ble deri në 300 euro barna e çkado qe na ka thanë mjeku e nuk po i llogarisë harxhimet tjera”, vazhdon rrëfimin Rexha.
Ajo sqaron se në Onkologji asnjëherë nuk kanë qenë të furnizuar me vitamina. “Kurdo që kam shku me marrë kimioterapi është dashtë minimuni me i pas 300 deri 400 euro për barna, analiza e vitamina. Deri tash mbi 15 mijë euro i kam harxhu”.
36 vjeçarja shprehet falënderuese për të gjithë personelin shëndetësorë në Onkologji për kujdesin maksimal që e ofrojnë për të gjithë pacientët.
Me situatë të ngjashme është përballuar edhe Mamudije Berisha.
Edhe Berisha është diagnostifikua me kancer në gji dy vite me parë e cila intervenimin kirurgjike e bëri në një spital privat pasi që Onkologjia nuk arriti të ofrojë këtë shërbim.
Pas ndërhyrjeve filloi me shërbimin e kimioterapisë e për të cilin rrëfen se është dashur të pres disa orë derisa të vije radha për të marrë këtë shërbim.
Ajo ka marrë tetë seanca të kimioterapisë.
Berisha ka një mesazh për të gjitha grat të cilat janë të diagnostifikuara me kancer në gji.
“Grave ju urojë të kenë forcën sepse me forcë e kurajo kalohet cdo gjë”. /Gazeta Shneta/