Ajo ka më shumë se pesë vjet që është duke luftuar me sëmundjen e kancerit, por Fatmire Ismaili nuk po dorëzohet.
Ajo e sheh veten si një grua të fortë dhe të zonjën, edhe përse ajo ka shpenzuar mijëra euro, ajo thotë se asnjëherë nuk duhet neglizhohet si dhe bënë thirrje edhe grave të tjera që t’i ndjekin këshillat e mjekut.
Fatmire Ismaili, nga Prishtina, besoi dhe ia doli që ta fitojë betejën me sëmundjen e kancerit në gji. Në tetor të vitit 2013, ajo u diagnostikua me këtë sëmundje, për t’u operuar vetëm disa muaj më pas.
Ajo për Gazetën Express, ka rrëfyer rreth vështirësive me të cilat po ballafaqohet për trajtimin e kësaj sëmundjeje si dhe për mënyrën se si po arrin ta mposht.
Trajtimin e sëmundjes ajo thotë se e ka kryer edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, për këtë pjesë ajo i ka disa vërejtje.
“Për stafin mjekësor në QKUK nuk kam vërejtje. Mirëpo, për barna tmerr është në Onkologji. Unë nuk e di si nuk iu vjen turp që të thonë se ka barna. Së pari ‘gentamicina’ aty nuk ka. Të gjitha duhet që t’i bëjmë në privat, biopsinë, analizën e të tjerat. Kam kërkuar ndihmë në MSH epur trajtimin e sëmundjes, por ata më thoshin jo shko në QKUK se aty janë barnat”, shpjegon ajo.
Pavarësisht sfidave, ajo vazhdon të jetë e buzëqeshur dhe me shumë vullnet për të dhënë mesazh për gratë që janë prekur nga ky lloj kanceri.
“Unë dua që t’iu lutem të gjitha femrave, kjo sëmundje është e vështirë, duhen para, kohë e mjete. Duhet vetëm ta keni vullnetin dhe të mos dorëzoheni. Nuk e kam ndërmend që të dorëzohem. Është sëmundje e zorshme, por unë e kam vullnetin. Duhet përkrahje”, vazhdon ajo.
“Unë që pesë vite e kam luftuar, tash prapë më ka prekë në anën e majtë, prapë jam bërë operacion. Iu kisha lutë të gjithëve që me qenë strikt në kontrolle. E dimë që ka shpenzime po më mirë me qenë shpenzim i shpejtë. Kjo sëmundje ka shërim vetëm duhet përkushtim. Edhe më patën ra flokët, thonjtë lëkura, unë ashtu kam shkuar në punë, asnjëherë nuk jam ndalë dhe kështu po arrij që ta mund. Do ta kaloj edhe këtë krizë”, rrëfen 47 vjeçarja nga Prishtina.
Gjithë vitit 2017 furnizimi me barna për institucionet publike shëndetësore është paraqitur si sfidë për shumë sëmundje në Kosovë, përfshirë edhe ato të kancerit. Profesionistë shëndetësorë thonë se kanceri i gjirit prin si sëmundje më e shpeshtë tek gratë.
Si rrjedhojë, në Kosovë në vitin 2015, është vënë në shërbim të grave mamografi mobil, përmes së cilit gratë mund të bëjnë falas kontrollin e gjirit.
Zyrtarë shëndetësorë kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2016, në gjithë Kosovën, përmes këtij mamografi janë zbuluar rreth 50 raste me kancer në gji.