Rreth 220 mjekë e kanë lënë Kosovën përgjatë dy viteve të kaluara. Edhe 150 të tjerë pritet të largohen këtë vit nga Kosova, për të kërkuar punë në shtetet e BE-së. Arsye për ikjen nga Kosova, mjekët thonë se janë paga dhe kushtet në punë.
Paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa në Gjermani, ata paguhen deri në 4 mijë euro.
Një pagë të tillë synon ta marrë edhe Rrezon Nalli nga fshati Krushë e Madhe, i cili ka diplomuar në Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në korrik të vitit 2019.
Ky 26-vjeçar nga Komuna e Rahovecit, si qindra mjekë të rinj në Kosovë, është duke tentuar të gjejë punë në Gjermani. Ai thotë se pagat e vogla në sektorin e shëndetësisë dhe kushtet jo të mira të punës, kanë ndikuar që ai të mendoj të largohet nga vendlindja.
“Të them të drejtën, këtë dëshirën për të shkuar jashtë vendit, e kam pasur gati thuajse nga viti i dytë i studimeve në fakultet, gradualisht e kam parë që sistemi shëndetësor është degraduar dhe thjesht nuk e kam gjetur veten si pjesë të këtij sistemi. Më është dashur të sakrifikoj shumë për të përfunduar studimet”, tha Nalli.
Rrezon Nalli ëndërron që të bëhet një ortoped i suksesshëm në Gjermani. Si student, kishte shkuar në Gjermani në vitin 2017 me vizë pune dhe me t’u kthyer nga atje, kishte filluar të mësoj gjuhën gjermane.
“Jam në fazë të pritjes së rezultateve të nivelit B2 (test i gjuhës gjermane), kam hyrë në provim. Diplomën e B1 e kam marr më herët, mirëpo për ne në mjekësi është e obligueshme niveli B2 i gjuhës, për këtë arsye kam vazhduar me kurse”, tha Nalli.
Ylber Murtezaj pronar i nj shkolle të gjuhëve të huaja në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se rreth 2 vjet mund të zgjasë kursi për të mësuar gjuhën në nivelin që kërkohet dhe shuma që duhet të paguar, kalon mbi 1 mijë euro.
“Niveli bazik mund të sillet rreth 150 euro. Ky nivel përfshin nivelin A1 dhe A2, dy nivelet komplet 200 euro. Pastaj nivelet B1 dhe B2, mund të shkojnë rreth 300 euro, dy nivele 600 euro. Këtu varet edhe forma e ndjekjes së kursit, a është në grup apo në mënyrë individuale”, tha Murtezaj.
Për një vit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, diplomojnë rreth 150 mjekë të rinj.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, një numër i përafërt pritet të largohet nga Kosova deri në fund të këtij viti.
Pleurat Sejdiu nga kjo Odë, tha se shumica e mjekëve që largohen nga Kosova, shkojnë në Gjermani.
“Që nga funksionalizimi i Odës së Mjekëve të Kosovës, tash është viti i katërt, këtë vit ka qenë numri më i madh. Vetëm për 7 muajt e parë kemi pasur 82 mjekë, të cilët kanë kërkuar dokumentin për largim, i cili iu duhet si referencë apo si dokument nga Oda e Mjekëve që nuk kanë ndonjë problem me kodin e etikës profesionale dhe me ligjet në Kosovë”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se rreth 220 mjekë janë larguar nga Kosova në dy vjetët e fundit dhe nëse vazhdon ky trend i largimit, Kosova do të përballet me mungesën e mjekëve.
“Unë mendoj që brenda 5 vjetëve do ta kemi krizën se trendi shkon edhe tek rritja e numrit të specialistëve të rinj që largohen. Në gjashtëmujorin e parë, kemi pasur 7 specialistë të rinj që janë larguar dhe kjo e keqëson edhe më shumë situatën, kur ne kemi moshën mesatare mbi 50 të mjekëve të punësuar në Kosova”,tha Sejdiu.
Sipas Sejdiut, 90 për qind e atyre që largohen nga Kosova janë mjekë të përgjithshëm të sapo diplomuar.