Nga apartamenti dola me të 6 fëmijët, por kur zbrita poshtë, pashë që kisha vetëm 4, dy të tjerët nuk i gjej. Ky është rrëfimi tronditës i një nëne, e cila përpiqej të arratisej nga kati i 21-të i pallatit në Londër që u përfshi nga flakët e mëdha mëngjesin e sotëm, shkruan “Daily Mail”.
Ngjarja e rëndë ndodhi në kullën “Grenfell” në rrugën Latimer, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që dëshmitarët raportuan se dështoi alarmi i zjarrit.
“Daily Mail” shkruan se disa banorë të pallatit mendohet të jenë hedhur nga ndërtesa për t’i shpëtuar djegies, ndërsa disa të tjerë kanë përdorur çarçafët në vend të litarëve.
Rreth 30 persona janë nxjerrë me djegie në trup, ndërkohë policia ka raportuar se deri më tani janë regjistruar 6 viktima, por pritet që numri të rritet. “Mund të konfirmojmë se kemi marrë 30 pacientë në pesë spitale,” tha Shërbimi i Ambulancës në Londër./Shekulli/