Shoqata “HANDIKOS” ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me ç‘rast u organizua aktiviteti i një shëtitje 30 minutëshe me karrocë në njërën nga rrugët e kryeqytetit.
Pjesëmarrës të këtij aktiviteti ishin nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, dhe anëtar të kabinetit të cilët u shoqëruan nga drejtori i “HANDIKOS”, Afrim Maliqi.
Nga shoqata u përmendën sfidat që përballen personat me karrocë, ndërsa nga autoritetet komunale premtuan më shumë angazhim në krijimin e kushteve për lëvizje më të lehtë të tyre.
Drejtori Maliqi tha se në Kosovë janë rreth 4 mijë persona që përdorin karrocën dhe se të njëjtit e kanë të vështirë që të lëvizin lirshëm në rrugët e Prishtinës dhe në vende të tjera.
Ndërkaq nënkryetarja e Komunës të Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu u shpreh se ndjenja për të qenë në karrocë qenka e fortë, pasi sipas saj, liria e lëvizjes varet nga karroca.
Ajo theksoi se e dinë që në Prishtinë këta persona hasin në vështirësi për të lëvizur, teksa shtoi se kanë vullnet politik për të ju qëndruar pranë dhe se në të ardhmen do të ketë mbështetje konkrete ndaj tyre.
Dita e Përdoruesve të Karrocës për herë të parë u shënua më 2019 në Kosovë me qëllim të arritjes së ndikimit pozitiv të karrocës në jetën e një personi, rikujtimit të numrit të përdoruesve të karrocës në vend dhe në botë, si dhe vetëdijesimit të shoqërisë për ta bërë botën një vend të qasshëm për të gjithë. /KP