Një studim i ri global ka zbuluar se kanceret e lidhura me obezitetin po rriten në mënyrë shqetësuese, jo vetëm te të rinjtë nën moshën 50 vjeçare, por edhe në grupmoshat më të vjetra.
Studimi, i publikuar në revistën Annals of Internal Medicine, ka analizuar të dhëna për kancerin në 42 shtete nga pesë kontinente gjatë viteve 2003–2017, duke shqyrtuar 13 lloje të ndryshme kanceri që më parë ishin raportuar si më të shpeshta te të rinjtë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Kanceret që po shënojnë rritje
Sipas rezultateve, kanceret e tiroides, gjirit, zorrës së trashë, veshkave dhe endometrit janë ndër sëmundjet që po rriten me shpejtësi në shumicën e vendeve të botës.
Kanceri i tiroides ka shënuar rritjen më të madhe, me një mesatare vjetore prej 3.57%.
Kanceri i veshkave është rritur me 2.21%, ndërsa kanceri i endometrit me 1.66%.
Kanceri kolorektal, një nga format më të përhapura të kancerit tek të rinjtë, është rritur me 1.45% në vit.
Në rreth 70% të vendeve të përfshira në studim, diagnozat e reja janë rritur më shpejt te të rriturit e rinj sesa te ata më të moshuar. Studiuesit vlerësojnë se obeziteti, ndryshimet në dietë, dhe përdorimi i antibiotikëve mund të jenë faktorët e përbashkët që po ndikojnë në këtë rritje.
Të moshuarit ende mbeten më të prekurit
Megjithëse përqendrimi publik është te rritja e rasteve te të rinjtë, studiuesit theksojnë se shumica e rasteve të kancerit vazhdojnë të shfaqen te grupmoshat mbi 50 vjeç.
Për shembull, vetëm në SHBA në vitin 2022 janë regjistruar rreth 50 mijë raste të kancerit të gjirit te gratë nën 50 vjeç, krahasuar me mbi 210 mijë raste në gratë mbi këtë moshë.
Sipas autorëve të studimit, këto gjetje mund të ndihmojnë në orientimin e politikave të reja shëndetësore dhe në zhvillimin e strategjive të përshtatura të trajtimit dhe kujdesit për pacientët e rinj me kancer.
Rritje reale apo diagnostikim i tepërt?
Një tjetër studim i publikuar së fundmi në JAMA Internal Medicine sugjeron se rritja e rasteve të kancerit tek të rinjtë mund të lidhet edhe me rritjen e diagnostikimeve dhe jo domosdoshmërisht me rritje reale të sëmundjes.
Sipas këtij studimi, rastet e disa llojeve të kancerit janë dyfishuar që nga viti 1992, por shkalla e vdekshmërisë ka mbetur pothuajse e njëjtë. Kjo nënkupton se një pjesë e madhe e rasteve mund të jenë diagnoza të tepërta, që i ekspozojnë pacientët e rinj ndaj trajtimeve të panevojshme, stresit emocional dhe barrës financiare.
Megjithatë, ekspertët pajtohen se obeziteti, stili i jetesës dhe ushqyerja jo e shëndetshme po mbeten ndër faktorët kryesorë që po nxisin rritjen e kancereve në të gjitha grupmoshat.


