Instituti për hulumtime shëndetësore dhe seksuale “Libido” në bashkëpunim me Shoqatën e Mamive të Kosovës, kanë realizuar një hulumtim nga fusha e shëndetit seksual gjatë shtatzënisë.
Hulumtimi “Ndikimi i shtatzënisë në jetën seksuale të gruas në Kosovë”, i realizuar në korrik-dhjetor 2017, ka përfshirë 2188 gra nga të cilat 1510 i janë përgjigjur pyetësorit nga mamitë në sallat dhe repartet e spitaleve të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Disa nga të gjeturat e këtij hulumtimi tregojnë se 32 për qind e shtatzënive në Kosovë janë të pa planifikuara. Poashtu është gjetur se përdorimi i kondomit nuk është praktikë e shpeshtë tek pjesëmarrësit.
Çiftet kosovare zvogëlojnë dukshëm marrëdhëniet seksuale pas fillimit të shtatzënisë. Numri i atyre që nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie seksuale gjatë një jave është trefishuar në tremujorin e parë.
Ndërsa në tremujorin e tretë është rritë përqindja e atyre me frekuencë 1-2 herë në javë dhe frekuenca e marrëdhënieve seksuale brenda një jave në tremujorin e tretë të shtatzënësisë është më e lartë te gratë e grup moshës nën 18 vite.
Këto janë vetëm disa nga të gjeturat e hulumtimit i cili do të prezantohet më gjerësisht më 16 janar duke filluar nga ora 12:00 në Restorant “Rings” në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Në prezantimin publik të këtyre rezultateve mediat dhe pjesëmarrësit tjerë do të kenë mundësi informimi të drejtpërdrejt me këtë problematikë nga panelistët: Dr. Hajrullah Fejza- seksolog, Doc.dr. Minire Alilaj-gjinekologe, Ejona Icka-psikologe dhe Magbule Elezi-mami.
Të gjeturat do të jenë të disponueshme edhe për hulumtuesit tjerë. /Gazeta Shneta/