Një analizë e re shkencore sugjeron se ekziston një interval optimal i gjumit që lidhet me plakje më të shëndetshme dhe ruajtje më të mirë të funksioneve biologjike të organizmit.
Sipas raportimeve të publikuara nga Tom’s Guide, kohëzgjatja ideale e gjumit mund të jetë rreth 6.4 deri në 7.8 orë në natë, transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit kanë vërejtur se si mungesa e gjumit, ashtu edhe gjumi i tepruar, mund të lidhen me ndryshime në proceset biologjike që ndikojnë në përshpejtimin e plakjes. Këto ndryshime përfshijnë ndikime në riparimin qelizor, në funksionimin e sistemit imunitar dhe në shëndetin e trurit.
Sipas ekspertëve, gjumi nuk duhet parë vetëm si një çështje e kohëzgjatjes, por edhe e cilësisë së tij. Një gjumë i ndërprerë ose jo i thellë mund të ketë ndikim të ngjashëm negativ me gjumin e pamjaftueshëm.
Studiuesit theksojnë se gjumi luan rol thelbësor në proceset e rigjenerimit të organizmit, duke ndihmuar trupin të riparojë dëmtimet qelizore dhe të ruajë ekuilibrin hormonal. Për këtë arsye, një rutinë e qëndrueshme e gjumit konsiderohet një faktor i rëndësishëm në promovimin e plakjes së shëndetshme.
Ekspertët këshillojnë që përveç kohëzgjatjes së duhur, individët të fokusohen edhe në higjienën e gjumit, si shmangia e ekraneve para gjumit, orari i rregullt dhe ambienti i qetë i fjetjes. /Gazeta Shneta/


